Mjeku humbi betejën me korovairusin, reagon Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka reaguar pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të mjekut Hysni Shkjau, nga COVID-19.

Manastirliu vlerëson kontributet e doktorit teksa shpreh ngushëllime për humbjen e doktor Hysniut.

Reagimi

“Më trishtoi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë!

Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.

Dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv.

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu!”- shkruan Manastirliu.


Shtuar 6.07.2020 08:04