Meningjiti, ministrja Manastirliu thotë se nuk ka vend për panik

Pas ndarjes nga jeta e një përsoni në Tiranë pas infektimit me meningjit, shqiptarët u frikësuan për përhapjen e ndonjë infeksioni të mundshëm.

Deri më tani, vetëm ky rast është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa kanë vdekur edhe dy persona të tjerë, që sipas ministres së Shendetësisë po kryhen analizat mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse kanë qenë apo jo të prekur nga kjo sëmundje.

E ftuar në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu foli për herë të parë për shqetësimin e krijuar në opinionin publik për përhapjen e meningitit.

“Ministria e Shëndetësisë, ISHP dhe Infektivi në QSUT janë duke ndjekur situatën, mund të them se nuk ka vend për panik dhe alarm të kot. Duhet të kuptojmë se jemi vend me incidencë (propabilitet) të ulët dhe prevalancë të ulët.

Kemi marrë masat për profilaksinë përmes medikamenteve dhe vaksinave të cilat mund ti marrë një rast (person) që ka patur kontakte me personin e sëmurë. Me këtë çështje po merren ekspertët, ndërsa unë dua të garantoj se s’ka vend për panik.

Gjatë këtyre ditëve kemi nxjerrë ekspertët për të dhënë informacion edhe për informuar opinionin publik dhe jo për ta dezinformuar atë. Pra, e përsërish se aktualisht në vendin tonë s’ka vend për alarm nga meningiti”, tha ministrja Manastirlliu.

E pyetur konkretisht nga Milori, për tre rastet e mortalitetit, ajo u shpreh se kemi dhënë informacion zyrtar përmes ekspertes së ISHP-së Silva Bino.

“Profesoreshë Silva Bino ka folur për një rast mortaliteti ndërsa për dy të tjerët pritet ekspertiza mjeko-ligjore që të dalin rezultatet përfundimtare”, u shpreh Manastirlliu.

Ajo u pyet edhe për situatën e gripit, ku theksoi se “ne nuk jemi në epidemi gripi. Qarkullon virusi i gripit, jemi aktualisht në intensitet të ulet, edhe më i ulët krahasuar me një vit më parë.

Kemi bërë një hap të mirë për të vaksinuar grupet e riskuara, të moshuarit, gratë shtatëzënë dhe fëmijët 2-5 vjeç. Ka raste të konfirmuar çdo javë, por situata është e qendrueshme”. /albeu.com/


Shtuar 14.01.2020 21:59