Mbi 1 muaj të izoluar, Basha: Njerëzit nuk mund të mbahen në shtëpi pa plan

Kryedemokrati Lulzim Basha shpreh shqetësim për zgjerimin e hartës së të infektuarve me koronavirus, me rastet e reja në Kukës dhe Mallakastër, ku tha se vetëm sot u konfirmuan 6 raste të prekurish në radhët e personelit shëndetësor.

Sipas tij, kjo gjë sjell domosdoshmërinë e rritjes së testimit dhe ndryshimin e strategjisë së testimit.

“Duke nisur me stafet mjekësore, punonjësit e vijës së parë, policinë, Forcat e Armatosura, administratën, por edhe atyre që konsiderohen vijë e parë si furnitorë, kamionistë, qytetarë në shërbim të tregtisë, në supermarkete tregje etj.

Testimi do na japë shifra të sakta. Nëse prekim vetëm sipërfaqen e problemit do e kemi shumë të vështirë ta drejtojmë vendin drejt hapjes dhe ti japim fund hap pas hapi mbylljes së ekonomisë.

Është e pamundur që njerëzit të mbahen të mbyllur në shtëpi pa plan”, u shpreh Basha në një komunikim të mbrëmjes së sotme.

Ai shprehu shqetësim për mungesën e ndihmës, duke thënë se duhet së paku të shpërndahet ndihma e parë.

Basha shtoi se masat mbështetëse ndaj biznesit duhen dhënë që të mos shkarkohen njerëz nga puna.

Ai kërkoi transparencë, pasi tha se ka shumë ankesa dhe se nuk ka ende detaje zyrtare për paketën e dytë dhe sipas tij mbahen në letër duke mos i hyrë në punë askujt.

“I bëj thirrje qeverisë të bëjë publike paketën për daljen nga kjo situatë. Kerkoj transparence”, tha kryetari i PD.


Shtuar 16.04.2020 17:10