Koronavirusi/ 43 inspektime në Tiranë e Durrës, bllokohet dhe gjobitet një fasoneri

Gjatë kontrolleve dhe inspektiemve të kryera nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për zbatimin dhe respektimin e masave të urdhëruara nga qeveria, është bllokuar një fasoneri në qytetin e Vlorës, që vijonte aktivitetin e tij edhe pse kryeministri Rama urdhëroi mbylljen e tyre në kushtet e emergjencës. Mbyllja e fasonerisë në Vlorë ndodhi gjatë inspektimeve ditën e sotme, e cila u shoqërua edhe me një gjobë sipas legjislacionin në fuqi.

NJOFTIMI I ISHSH:

NJOFTIM PËR SHTYP

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, në zbatim të planit të masave për përballimin e COVID – 19 ka kryer inspektime të pandërprera në terren për verifikimin dhe respektimin nga subjektet e masave të posaçme të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për situatën në vend.

Në datat 12 dhe 13 mars 2020 janë kryer 43 inspektime dhe 1625 monitorime.

Gjatë inspektimeve u konstatua se pjesa më e madhe e subjekteve në qytetet e Tiranës dhe Durrësit kishin vetëmbyllur aktivitetin. Në qytetet e tjera, subjektet të cilat vazhdonin aktivitetin respektonin masat e posaçme për situatën.

Në qytetin e Pukës u mbyllën 5 bilardo dhe një ambient, kënd lojrash për fëmijë.

Në qytetin e Vlorës, më datë 13 mars 2020, është kapur në shkelje një subjekt fasonerie i cili vazhdonte aktivitetin pavarësisht Urdhrit të Kryeministrit për ndërprerje në kushtet e emergjencës. ISHSH, dega rajonale Vlorë, bllokoi menjëherë aktivitetin e subjektit me përfaqësues A. S. NIPT L66412202O dhe gjithashtu vendosi dhe gjobë sipas legjislacionit në fuqi.

Jemi në terren gjatë gjithë kohës për të kontrolluar respektimin e rregullave për parandalimin e COVID-19.

FRIKË ASPAK. KUJDES PO.


Shtuar 13.03.2020 16:00