I doli videoja duke thithur kokainë, reagon kryebashkiaku i Bulqizës e zbulon fajtorin

Ditën e sotme gazetari Artan Hoxha publikoi një video në ABC news, ku sipas tij dallohet kryebashkiaku i Bulqizës duke pirë kokainë, reagon edhe ky i fundit.

Pas këtij lajmi, që po bën xhiron e mediave në vend, ka reaguar në Facebook kryetari i Bulqizës Lefter Alla.

Sipas Allës kjo video është montazhi i radhës i telenovelës “Babale” të nisur nga Partia Demokratike.

“Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale.

Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike.

Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!

Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast”, shkruan ai.

Ai shprehet se është krenar për punët që po bën në Bulqizë.

“Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh.

Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët.

Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP”, shkruan Alla./albeu.com/


Shtuar 22.01.2020 17:14