Hajdari nuk mban më: Erdha për të ndryshuar sistemin, këta i shkelin syrin njëri-tjetrit (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari ka dalë e revoltuar nga mbledhja e Këshillit Politik mbi diskutimet për Reformën Zgjedhore.

Në një prononcim për mediet, Hajdari hodhi akuza ndaj palëve politike që sipas të cilës, ata nuk e duan ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Kur vjen puna për të diskutuar ndryshimin e sistemit zgjedhor këta mundohen t’i bëjnë bisht, se këta i shkelin syrin njëri-tjetrit. Këta e kanë kryer detyrën e tyre, vijnë aty duke diskutuar çështje pa rëndësi…”, tha Hajdari.

“Unë kam ardhur në Shqipëri vetëm për të forcuar dy parimet, lirinë dhe demokracinë”, tha Hajdari ndër të tjera, teksa u shpreh e vendosur për të bërë të mundur ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi nga PD deklaroi se opozita jashtëparlamentare nuk do të tërhiqet nga propozimet e saj.

“Kushtet që kemi vendosur mbi tryezë janë aty dhe nuk tërhiqemi nga ato. Në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi Rama që të marrë administratën zgjedhore.

Po ashtu, nuk do të ketë mundësi që të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që bën me administratën e kapur. Opozita nuk do të lëshojë, por do t’i shtojë zgjedhjeve garanci të tjera që do ta bëjnë të vështirë manipulimin”, u shpreh Bylykbashi.


Shtuar 13.05.2020 19:53