EMRAT/ Abuzim me pronat në Durrës, Apeli i Durësit lë në burg 4 nga të arrestuarit

Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në burg vetëm 4 prej të arrestuarve, nga 18 që ishin në fillim, të akuzuar për abuzim me pronat.

Vendimi është marrë pasditen e sotme nga Gjykata e Apelit Durrës, e cila ka rivlerësuar masat e sigurisë për efektivët e policisë dhe ndërtuesit e akuzuar për mitmarrje.

Kështu është vendosur që të mbeten pas hekurave në vijim të hetimeve Agim Osmani, Ermal Petova, Dëshir Dakoli dhe Haxhi Sherra.

Ata u vunë në pranga në fillim të këtij muaji, pasi sipas policisë kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin e parave, për ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj., duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.

Në fillim të muajit janar u arrestuan të dyshuarit të cilët akuzohen se lejuan ndërtime pa leje në zonën e qytetit bregdetar, të Manzës dhe Shijakut, zonë e goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.


Shtuar 29.01.2020 17:20