DETAJET/ Arrestohet skraparlliu që tentoi eliminimin e prokurorit Arjan Ndoji

Policia e Shtetit ka arrestuar një ndër autorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji të ndodhur në nëntor të 2019.

Ai është shtetasi me inicialet A. H., 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.

Për këtë person, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.

Më herët, është arrestuart njëri prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi R. Rr., 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.

Ngjarja në fjalë ndodhi në 1 nëntor të vitit të kaluar, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbetën të plagosur tre persona, shtetasi A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, shtetasi A. L. dhe shtetasi A. M., i cili më pas ndërroi jetë në spital. /albeu.com/


Shtuar 5.05.2020 17:54