Çfarë po ndodh? Bie frikshëm numri i testeve për koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi sot 9 raste të reja me koronavirus, ku në total në Shqipëri është regjistruar një viktimë dhe 51 të prekur.

Mësohet se 20 persona janë të shtruar në spitalin Infektiv, ndërsa pjesa tjetër po trajtohen në shtëpi. Tre prej personave të shtruar në infektiv janë në terapi intensive. Ata janë një 65 vjeçar nga Lushnja, një 61 vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana.

Mësohet se gjatë dy ditëve të fundit ka rënë numri i testeve të bëra sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, u bënë 31 teste, kurse ditën e djeshme 27 të tillë. Në total, gjatë dy ditëve të fundit janë kryer 58 teste, nga të cilat 13 raste kanë rezultuar pozitve.

Përveç datës 7 mars, kur nuk ishte konfirmuar ende rasti i parë më koronavirus, në të gjithë datat e tjera, ISHP ka kryer më shumë teste krahasuar me 48 orëshin e fundit.

Nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë ulje të beftë të numrit të testeve të kryera, ndërsa po ashtu, Task Forca ka ndryshuar mënyrën e raportimit të të dhënave sot duke mos pasqyruar numrin e telefonatave me kodin “COVID-19”. Gjatë ditës së djeshme u raportua se nga 7 247 telefonata të mbërritura në numrin 127, 4 468 telefonata ishin me kodin “COVID-19”. Kjo e dhënë sot mungoi.

Teste të kryera
10 mars – 114 teste
11 mars – 127 teste
12 mars – 298 teste
13 mars – 159 teste
14 mars – 48 teste
15 mars – 27 teste
16 mars – 31 teste


Shtuar 16.03.2020 11:56