Basha pas takimit me Yuri Kim: Do të ketë zhvillime të reja politike

Ditën e sotme kryetari i PD Lulzim Basha takoi në selinë blu, ambasadoren e SHBA Yuri Kim, dhe delegacionin e KIE.

Pas takimit lideri i opozitës pati një prononcim të shkurtër për mediat duke thënë se do të ketë lajmë dhe zhvillime të reja politike ditët e ardhshme.

“Dita e zhvillimeve politike sot dhe atyre që do të vijnë do të jetë plot me lajme, me prioritete, me zhvillime. Për një gjë ju siguroj, se gjithçka që po bëhet po bëhet për t’i shërbyer një qëllimi që shkon përtej Partisë Denokratike dhe opozitës, qëllimi për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe dalje nga kriza. Kështu që në këtë kuptim ndjehem i inkurajuar nga takimet sot dhe do të vazhdoj t’ju mbaj të informuar”-tha Basha.

Basha u duk optimist dhe tha se këto takime kanë vetëm një qëllim për tu dhënë shqiptarëve një rrugë shprese.

Postimi i plotë në Facebook

“Kënaqësi e veçantë të mirëpres Znj. Yuri Kim, Ambasadoren e SHBA, aleatit dhe partnerit tonë strategjik.

E urova Ambasadoren Kim për detyrën e re dhe e sigurova atë për bashkëpunim të plotë të opozitës në përmbushjen e të gjithë angazhimeve të vendit tonë me SHBA.

Ndava me të pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona”.


Shtuar 4.02.2020 15:31