A mund të manipulohen shifrat e vdekjeve nga Covid? Flet mjeku Tritan Kalo

Mjeku Tritan Kalo ka shpjeguar tendencën e ecurisë së rasteve me koronavirus në vendin tonë, duke e quajtur kurbën në formën e sharrës e cila nuk është as e sheshtë, por nuk ka asnjë pikë shpërthimi ekstrem.

“Problemi është se jemi në një kurbë e cila varion në katër raste. Është një kurbë në formë sharre. nuk ka pasur kurrë kulme, por i bie të jetë diçka e dhëmbëzuar por pa shpërthime ekstreme. Virusi është i pranishëm.

Na tregon që duhet të jemi gjithmonë vigjilent.Tendenca e hapjes vjen nga fakti se numri i rasteve ka një tëndencë pozitive rënie në të gjitha vendet”, u shpreh Tritan Kalo në Abc News teksa komentoi edhe aludimet se numri real i të vdekurve është më i lartë se ai që deklarohet duke thënë se manipulimi i shifrave është i pamundur.

“Numri i rasteve të konfirmuar nuk do të thotë se nuk ka më shumë të infektuar sepse shumë njerëz janë asimptomatikë dhe vetëm studimet e mëvonshme do nxjerrin shifra më të sakta.

Shifrat nuk mund të manipulohen kurrë. Një gjë e tillë është e pamundur. Ka mënyra për t’u vërtetuar. Sa më shumë shtohet numri i testimeve, aq më shumë plotësohet përqindja.

Problemi kryesor është të mos testohen ata që kanë simptoma dhe ata që kanë kontakte me personin e sëmurë apo edhe me kontaktin e personit të sëmurë”, tha Kalo.


Shtuar 29.04.2020 15:11