Rusia sërish paralajmëron Perëndimin për marrëveshjen e drithërave

Rusia ka lëshuar një paralajmërim të ri te Perëndimi lidhur me marrëveshjen e drithërave me Ukrainën, duke thënë se duhet të plotësohen disa kushte që Moska ta zgjasë këtë marrëveshje përtej datës 18 maj.

E negociuar në korrik të vitit të kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, marrëveshja ka mundësuar një korridor të sigurt për dërgesat me drithëra ukrainase, që transportohen nga portet në Detin e Zi. Këto porte, paraprakisht kishin qenë të bllokuara për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia, ekonomia e të cilës është goditur një sërë runde sanksionesh nga Perëndimi, vazhdimisht ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja nëse nuk largohen pengesat ndaj eksporteve të saj.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më 13 prill se “është e vështirë të flitet edhe për një zgjatje tjetër të nismës së Detit të Zi përtej datës 18 maj” nëse Moska nuk sheh asnjë përparim.

Ndaj eksporteve ushqimore dhe të plehrave artificiale të Rusisë nuk ka sanksione, por pengesat krijohen për shkak të sanksioneve që janë vendosur ndaj kompanive të sigurimit, bankave, por edhe të transportuesve.

Ministria e Jashtme ruse ka paraqitur një sërë kushtesh për zgjatjen e marrëveshjes. Në mesin e kushteve është që Banka Bujqësore ruse, Rosselkhozbank, të rifutet në sistemin ndërkombëtar të pagesave, SWIFT.

Po ashtu, Rusia ka kërkuar që të rinisin furnizimet me makinerinë për bujqësi, pjesë shtesë dhe shërbime të tjera.

Kushtet e Moskës përfshijnë edhe rinisjen e furnizimeve me amoniak përmes tubacionit Togliati-Odesa.

Për më tepër, Rusia po ashtu ka kërkuar që të hiqen kufizimet për qasjen në porte si dhe sanksionet ndaj kompanive që janë të lidhura me prodhimin dhe transportin e produkteve ushqimore dhe plehrave artificiale.

Që kur u arrit marrëveshja në korrik të vitit 2022, mbi 27 milionë tonë drithëra dhe produkte të agrikulturës kanë arritur të eksportohen. Marrëveshja është ripërtërirë dy herë.

Kur skadoi në mars, Rusia tha se pajtohet që marrëveshja të zgjatet për 60 ditë, në vend se 120 ditë, sa ishte zgjatur paraprakisht.


Shtuar 13.04.2023 13:12