U nda nga jeta, Mevlan Shanaj përlotet teksa kujton takimin e fundit me aktorin Rikard Ljarja

Një prej ikonave të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë. Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan foli miku i tij më i mirë, regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj.

Ai u shpreh se nuk kishte mundësi që të kishe pasur lidhje me aktorin Ljarja dhe të mos kishe dashuri dhe dhimbje për të. Regjisori e vlerëson si një person tejet të veçantë me një shpirt të madh.

Mevlan Shanaj: Kam një gjë shumë personale dhe do ta ndaj këtë, xhiroja në Dhjetor të 1989, “Fletë të bardha” ishin në Fier në një hotel. Edhe kur kthehem në atë të ftohtë Dhjetori, e shoh që kishte larë ndërresat e tij dhe ndërresat e mija.

Edhe u çudita dhe i thashë si ka mundësi të më lash dhe ndërresat, çfarë je ti njeri? E kupton të jesh në madhështinë e një figure të atillë dhe të bësh veprime kaq tipike, kaq njerëzore, kaq humane.

Këtë mund ta bënte vetëm Rikardi, prandaj nuk ka mundësi që të kesh qenë në lidhje me të dhe të mos kesh këtë dhimbje, këtë dashuri.

Shanaj përlotet teksa kujton edhe takimin e fundit me të.

Rudina Magjistari: Cili ka qenë komunikimi i fundit që keni pasur me të?

Mevlan Shanaj: Komunikimi i fundit ishte që po i jepja ca këshilla se i kishte rënë tensioni dhe i bëja psikoterapi se më mori ai. Por i parafundit është një gjë tjetër, një gjë shumë e bukur. Më tha m’u bënë 3 muaj e gjysmë Mevlan, që nga vendi ku rri i shtrirë shikoj përballë pallatin e komshiut, shikoj katin e pestë dhe një fragment qielli. Numëroj antenat disa herë në ditë, janë 11 dhe sa herë i numëroj po 11 janë. I thashë Riku do ta bësh tregim ti këtë, jo tha jo, po ta jap ty(përlotet). /tvklan


Shtuar 21.04.2020 19:08