Të arratisurit që assesi të kapen! Gruevski, Krasniqi, Vojminovski bashkë në listën e të kërkuarve (VIDEO)

Gjatë është lista në faqen e Ministrisë së Brendshme me emrat e personave që kërkohen me fletëarrest ndërkombëtar. Janë 67 gjithsej.

Shumica fytyra të panjohura, por mes tyre edhe të kërkuar për krime të rënda e që kanë përbërë interes të madh për publikun. Më i famshmi në mesin e tyre është ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili që nga nëntori 2018 ka statusin e azilantit politik në Hungari, vend i cili ka refuzuar ta ekstradojë.

Fatkeqësisht fletëarresti ndërkombëtar për të nuk u publikua në “Interpol”, thotë zëvednësministrja shtesë e Ministrisë së Brendshme Sllavjanka Petrovka.

“Përmes kanaleve të ndyshme të bashkëpunimit policor ndërkombëtar mblidhen informacione për të si dhe për të gjithë që kërkohen me fletëarrest ndërkombëtar për vuajtjen e dënimit me burg në vendin tonë”, deklaroi Sllavjanka Petrovska – zv/ministre shtesë për punë të brendshme.

Gruevski duhet të vuaj 2 vite burg për pranim shpërblimi për ndikime të kundërligjshme si dhe 30 ditë paraburgim për veprën “cenim i rendit kushtetues dhe sigurisë”. Por a mendon Petrovska se Gruevski mund të kthehet i qetë nëse partia e tij VMRO-DPMNE vjen në pushtet?

“Pa dallim se kush vjen në Qeveri dhe edhe me supozimin nëse ndonjëherë VMRO-DPMNE vjen në Qeveri, ai ka dënim aktiv për burgosje.

TV21: Nëse VMRO vjen në qeveri mendoni se ai dënim do të zbatohet?

“Po nuk ka zgjidhje tjetër sepse këto janë ligjet e shtetit, të cilat dukshëm do të shkeleshin për të mirën e një individi e jo të shtetit; mendoj se asnjë shtet s’do ta lejonte këtë luks”, tha Sllavjanka Petrovska – zv/ministre shtesë për punë të brendshme.

34 persona ia kanë dalë të arratisën në këto dy vite e gjysmë dhe ende janë të pakapshëm. Mes tyre janë dy ish agjentët е DSK-së Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujovski të akuzuar për skandalin e përgjimeve e që ende janë në arrati. Në liri janë edhe dy të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit, Dejan Davidovski që është kapur në Suedi, si dhe i arratisuri Nikolla Vojminovski që duhet të vuajë 13 vjet e 6 muaj burg nën akuzën e tentimit për vrasjen e Ziadin Selës më 27 prill.

Në arrati janë edhe dy të dyshuar për rastin Monstra, Alil Demiri dhe Afrim Islailoviq si dhe 3 persona të tjerë që ndiqen për vrasje. Ndër të fundit që është arratisur është Agim Krasniqi.

“Arratisjet e personave të gjykuar për veprime kriminale tregojnë edhe dobësi të sistemit. Kjo do me thënë se ekziston komunikim i pamjaftueshëm ose bashkëpunim mes institucioneve mes tyre, ose-ose lëshime në procedurat e përcaktuara”, deklaroi Petrovska – zv/ministre shtesë për punë të brendshme.

“Ilaçi” për shërimin e këtyre mangësive të sistemit, sipas zëvendësministres shtesë, është vetingu në MPB dhe gjyqësor.

“Ai proces i vetingut nuk duhet të përbëjë frikë për askënd, përkundrazi të merret si kontribut në këtë drejtim mes të tjerash edhe për përforëcimin e sistemit dhe granatimin për institucione stabile dhe profesionale”, tha Petrovska – zv/ministre shtesë për punë të brendshme.

Për momentin janë 807 fletëarreste aktive të lëshuara nga Ministria e Brendshme. Numri vazhdimisht ndyshon, varësisht nëse personat kapen, vetëdorëzohen ose vdesin në arrati.


Shtuar 3.05.2020 17:59