Qeveria e Maqedonisë së Veriut merr vendimin: 5.7 milion euro mbështetje financiare për ndërmarrjet

Qeveria maqedonase do të japë 5.7 milionë Euro mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për ndërmarrjet prodhuese si dhe kredi pa interes.

Gjatë prezantimit të planit ekonomik për përballimin e pasojave nga koronavirusi, zv/Kryeministrja për Çështje Evropiane, Milla tha se çdo kompani, në varësi nga numri i të punësuarve, do të përfitojnë deri në 300.000 Euro kredi me 0% interes.

Kompanitë me deri në 10 të punësuar përfitojnë 5000 Euro, kompanitë e vogla nga 10-50 të punësuar, përfitojnë kredi 15000 Euro. Kompanitë e mesme nga 50-250 të punësuar, do mund të përfitojnë kredi 300000 Euro. Ministri i Ekonomisë, Bekteshi paralajmëroi ndalimin e eksportit të miellit si dhe një fond për turizmin rreth 74 milionë denarë. Do të subvencionohen rrogat në sektorët e turizmit, transportit dhe hotelerisë, shkruan Klanplus.

Madje, ministrat e qeverisë tranzitore në Shkup vendosën që të dhurojnë rrogat e tyre mujore për të mbështetur përballimin financiar të pasojave të koronavirusit.

Ndërkaq, Presidenti Pendarovski ka vendosur që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Sipas Kushtetutës, kjo gjendje në rast të epidemive mund të zgjasë 30 ditë.


Shtuar 18.03.2020 14:20