Maqedonia e Veriut prezanton nesër platformën e mësimit online

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ditën e nesërme do të prezantojë Platformën nacionale për zhvillimin e mësimit online.

Deri të shtunën do të vijojë trajnimi i 1600 mësuesve për përdorimin e kësaj platforme. Më pas ata do ti trajnojë kolegët e tyre.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska tha se në rast se numri i të infektuarve do të jetë i lartë në fund të muajit shtator, viti shkollor do të fillojë vetëm me mësim nga distanca dhe jo me prezencë fizike.

Nëse, supozojmë, më 25 shtator kemi numër të lartë të të infektuarve atëherë, po, do të filloj online, por me prezencë fizike sigurisht që do ta rimendojmë, për klasën e parë e deri në të tretën. Por, nëse kemi gjendje stabile epidemiologjike atëherë do të fillojmë me planin tashmë të përgatitur”-tha Mila Carovska, ministre e Arsimit.

Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme shprehen të shqetësuar për fatin e tyre. Thonë se institucionet kompetente akoma nuk e kanë idenë se si dëshirojnë të startojë viti shkollor. Madje, druajnë se ky vit mund të shpallet i humbur.

Në qoftë se kjo gjendje do të vazhdojë kështu siç ka filluar, me shumë gjasë do të vijmë në një moment që në periudhën e gjysmë vjetorit të dytë mundet edhe të deklarohet si vit i humbur dhe do të jetë shumë dëshpëruese për shumicën e nxënësve. Sepse, shumica e nxënësve veç se më kanë apliku dhe janë pranuar nëpër universitetet e jashtme evropiane”-theksoi Blendi Hodai, kryetar i UNSHM-së.

Nga UNSHM-ja përsëritën edhe një herë se nuk heqin dorë nga kërkesa që mësimi në shkollat e mesme të fillojë në mënyrë të kombinuar, ndërsa praktika të kryhet me prezencë fizike. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në emisionin Rruga Drejt deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që nga muaji Nëntor, në shkollë me prezencë fizike të kthehen edhe nxënësit e klasës së 4, 5 dhe 6 të arsimit fillor si dhe vitet e para të shkollave të mesme./alsat


Shtuar 17.09.2020 14:36