Kumanova, vatër e re e koronavirusit, çdo ditë rritet numri i të infektuarve (VIDEO)

Kumanova po shndërrohet në vatër të re të të infektuarve nga koronavirusi, shkruan gazeta LAJM.

Me 11 të infektuarit e fundit numri i të prekurve në këtë qytet ka shkuar në 211, ndërsa për disa ditë me radhë Kumanova po ia kalon Shkupit për nga numri i të sëmurëve në bazë ditore.

Situatën e vështirëson edhe numri i madh i punonjësve shëndetësor të infektuar me koronavirus në këtë qytet, që deri tani ka shkuar në 40. Për këtë shkak, reparti i Gjinekologjisë në spitalin e Kumanovës është paralizuar, ndërsa gratë shtatëzëna të këtij qyteti me mbi 100 mijë banorë dërgohen në Klinikat e Shkupit.

Edhe qytetarët me sëmundje tjera për shkak të numrit të madh të punonjësve shëndetërsor të infektuar me koronavirus kanë frikë të shkojnë në spital për t’u shëruar.

Banorët e këtij qyteti janë të vetëdijshëm për rrezikun, megjithatë nuk heqin dorë nga lëvizjet në qytet.

Pas izolimit prej 61 orësh gjatë funjavës, të hënën rrugët Kumanovës janë mbushur me qytetarë. Pavarësisht kësaj shumica e të intervistuarve thonë se masat duhet shtrenguar.

Kumanova renditet e para për nga numri i viktimave nga koronavirusi me 9 raste nga gjithsej 38 në gjithë vendin. Masat e deritanishme në Kumanovë nuk kanë dhënë efekt. Kryetari i këtij qyteti me mbi 100 000 mijë banorë kërkon nga qeveria që të merren parasysh vendimet e shtabit komunal të krizës dhe mendon se vetëm përmes izolimit të plotë mund të parandalohet përhapja e sëmundjes. Ai prej tre javësh kërkon që Kumanova të futet në karantinë, sipas shembullit të Dibrës.
Ndërkohë, të hënën u raportua se në gjithë territorin e vendit ja shënuar edhe katër viktima nga koronavirusi, ndërsa numri i të infektuarve ka shkuar në gjithsej 854 persona.


Shtuar 13.04.2020 14:47