Kompanitë farmaceutike në garë për testin e COVID-19

Gjigandi farmaceutik zviceran “Roche” tha të premten se së shpejti do të ketë një test për të treguar nëse njerëzit kanë patur Covid-19, duke iu bashkuar kështu firmave të tjera që po konkurojnë për të prodhuar një sistem efikas. Ndërkohë një laborator në Gjermani ka filluar vizitat derë-më-derë për të testuar njerëzit për koronavirusin.

Firmat farmaceutike po garojnë për të zhvilluar një test që mund të tregojë nëse njerëzit kanë patur Covid-19. Gjigandi zviceran Roche është kompania më e fundit që thotë se po bën përparim në këtë drejtim.

Kompania tha të premten se shpresonte të ofronte një test gjaku deri muajin e ardhshëm.

Firma me seli në Bazel thotë se ka caktuar njerëz që punojnë edhe gjatë netëve dhe fundjavave për zhvillim e këtij testi. Kompania planifikon të ariijë një nivel prodhimi prej disa dhjetëra milionë testesh në muaj.

Lajmet pasojnë njoftime të ngjashme nga kompani, si Laboratorët Abbot në Shtetet e Bashkuara, dhe DiaSorin në Itali.

Ndërkohë shkencëtarët në Institutin e Mynihut për sëmundjet tropikale po marrin masat që tani për testimin e rasteve të panjohura me koronavirus, duke zhvilluar një sistem testimi nëpërmjet vizitave derë më derë. Ata thonë se kjo do të jetë pjesë e një studimi më të gjerë për pandeminë dhe efikasitetin e masave të mundshme.

“Përcaktimi i numrit të rasteve të panjohura është shumë i rëndësishëm. Duhet të dimë përmasat e përhapjes dhe infeksioneve të koronavirusit të ri në Gjermani… Nëse do të testonim vetëm pacientët nëpër spitale do të merrnim vetëm njerëzit e infektuar. Ne donim të zbulonim se sa njerëz janë infektuar me koronavirusin pa patur simptoma ose me simptoma shumë të lehta”, tha Andreas Wieser, drejtor i laboratorit të klinikës universitare.

Shkencëtarët në Mynih thonë se personat-subjekt të vizitave derë-më-derë janë qëllimisht të rastësishëm.

“I informojmë fillimisht personat për procedurën dhe studimin e ekipit tonë, pasi duhet ta dinë ç’po ndodh. Nëse bien dakort, do t’u përgjigjen disa pyetjeve për disa ditë. Në vazhdim do t’u marrim rreth 3 ml gjak që do të testohet për antitrupa. Aty do të shohim nëse sistemi imunitar është aktivizuar (nga infeksioni)”, tha Laura Olbrich, e Klinikës Universitare.

Ekspertët thonë se teste të tilla do të jenë thelbësore për përcaktimin e përhapjes së sëmundjes dhe menaxhimin e masave ndaj saj.

Por disa mendojnë se korporatat e mëdha farmaceutike janë ende shumë të prirura për konkurrencën.

Të premten, një grup investitorësh kryesorë thanë se po kërkonin që emrat kryesorë të industrisë të bashkojnë forcat.

Ata u kanë shkruar firmave, si Roche dhe Johnson & Johnson, duke u thënë se është koha për të lënë mënjanë rivalitetet.

Letra përcakton parimet që duhet të ndjekin kompanitë, përfshirë ruajtjen e çmimeve të arsyeshme.

Disa nënshkrues thanë se ata mund të kërcënojnë që të tërheqin investimet nga kompanitë që nuk veprojnë kështu.


Shtuar 20.04.2020 13:51