U pezullua nga detyra, ish-drejtuesi i OFL-së paraqitet pranë SPAK

Kanë kaluar vetëm dy ditë pasi doli lajmi i pezullimit nga detyra, drejtuesi i OFL-së, Artan Shkëmbi, ku ditën e sotme ai është paraqitur pranë Prokurorisë Speciale ku do të merret në pyetje për akuzat që rëndojnë mbi të.

Shkëmbi akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Shkëmbi ka qëndruar vetëm pak minuta, pasi seanca është shtyrë për ditën e nesërme.

Më herët u raportua se GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të pezulluar nga detyra drejtuesin e lartë të Policisë deri në përfundim të hetimeve. Mësohet se SPAK po kryen hetime për “Shpërdorim detyre” për shkak të nxjerrjes së një sekreti hetimor nga ana e Artan Shkëmbit.

Të dhënat flasin për një hetim që po kryhet edhe në Gjermani. E megjithatë, jo pak persona, edhe brenda Policisë së Shtetit, e kanë parë me dyshim mundësinë reale të nxjerrjes së një sekreti nga Shkëmbi, duke qenë se ai vetë ka shërbyer për 6 vjet me radhë si oficer kontakti në shtetin gjerman dhe ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të autoriteteve ligjzbatuese atje.

Nga ana tjetër, Artan Shkëmbi, i cili kaloi me sukses tri kriteret e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë më 28 shkurt nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, rezulton i pajisur me certifikatë sigurie CSP, “Tepër Sekret”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka komanduar në vend të tij oficerin e lartë të Policisë, Hekuran Bregu, i cili ishte një ndër 19 oficerët që morën “Medalje Nderi” nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në janar të këtij viti, për kontributin e dhënë në ditët pas tërmetit.


Shtuar 30.09.2020 10:09