SHBA krerëve të Kosovës: Veproni sipas ligjit, të hiqet taksa

Kosova po kalon një periudhë të vështirë si nga ana e përballjes me pandeminë e koronavirusit por në anën tjetër me politikën aktuale.

Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar së fundmi se do t’i qëndrojë pranë popullit të Kosovës. Me anë të një deklarate thuhet se SHBA nxit krerët e qeverisë që të ndjekin Kushtetutën dhe sundimin e ligjit.

Më tej theksohet heqja plotësisht e taksës ndaj Serbisë pasi tarifat po dëmtojnë vetë popullin e Kosovës.

Deklarata e plotë
Shtetet e Bashkuara janë me njerëzit e Kosovës. Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

Për më tepër, ne vazhdojmë t’i nxisim liderët e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe duke penguar rritjen ekonomike.

Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të tokave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradë midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë./albeu.com


Shtuar 26.03.2020 21:15