Plani 3-javor i qeverisë: Nga baret e restorantet te hapja e madhe

Me paralajmërimin se mund t’i rikthehemi mbylljes së detyrueshme, nëse kushtet dhe situata e deritanishme do të pësojë ndryshime, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, prezantoi dje planin e hapjes dhe lehtësimit të masave për 3 javët në vijim.

Kështu, nga kjo e hënë do lëvizin taksitë ndërqytetase, veçse me jo më shumë se dy pasagjerë. “Nga data 4, do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anëtarë të së njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetëse”, tha Manastirliu.

BIZNESET

Po ashtu, prej datës 11 maj do të lehtësohen një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare, të cilat do të hapen, por me protokolle rigoroze sigurie.

“Në planin tonë të dy javëve që do të pasojnë, duke filluar nga data 11 maj e në vijim, planifikojmë të vijojmë me disa lehtësime masash, por me protokolle rigoroze sigurie për një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare. Nga java që nis do të njihen me protokollet specifike dhe do duhet që këto subjekte të marrin masa për organizimin e shërbimit me kushtet e reja”, tha Manastirliu, e cila shtoi po ashtu se po vlerësohet edhe zgjerimi i lëvizjes së automjeteve pa autorizim, brenda qarqeve dhe fashave orare 05:00-17:30.

Në varësi të situatës dhe linjës që do të ndjekë kurba, nga 18 maji e në vazhdim do të vlerësohet edhe hapja e bareve dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura.

“Në vijim të draft-planit, dhe e përsëris draft-plan, pasi do të vlerësohet situata në dinamikë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ekspertët, nga 18 maji e në vijim, sipas disa hapave të mëtejshëm, do të vlerësojmë dhe hapjen e njësive të shërbimit, bare e restorante, vetëm për mjediset e hapura sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjeno-sanitare”, vuri në dukje Manastirliu.

Ky plantentativë do t’u shërbejë njësive të shërbimit, bare dhe restorante për t’u përgatitur për organizime në kushte të reja të sjelljes dhe shërbimit. Por përkundrejt lëshimeve të bëra, ka edhe kufizime. Gjatë prezantimit të planit të rihapjes, ministrja konfirmoi se kufizimet në këtë plan do të vijojnë për aktivitetet sportive, kulturore e sociale, grumbullimet me më shumë se 5 persona dhe që konsiderohen me risk të lartë.

ZONAT E GJELBRA

Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar përfshirjen në “zona të gjelbra” edhe të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen më risk të ulët për përhapjen e infeksionit. “Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur Manastirliu.

Në këto bashki, nuk do të ketë nevojë për autorizim brenda fashës së orarit që është caktuar. Por liri-dalja nuk duhet kuptuar pa distancim social dhe respektim të kushteve higjienosanitare. Sipas rregullave të përcaktuara për këto zona, pensionistët mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjetër mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar jo më shumë se një person.

Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim punë, të cilët nuk kufizohen nga këto orare. Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar, mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania.

PLANI I HAPJES DHE LEHTËSITË NGA DATA 4 MAJ

Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë.

Pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjetër mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar jo më shumë se një person.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit, që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer.

Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania.

Duke filluar nga data 4 maj, do të lejohen dy pasagjerë familjarë në shërbimin taksi ndërqytetës.

Duke filluar nga data 4 maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim në zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë.

Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të përcaktuara.

PLANI I HAPJES DHE LEHTËSITË NGA DATA 11 MAJ

Prej datës 11 maj do të lehtësohen një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare, të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.

PLANI I HAPJES DHE LEHTËSITË NGA DATA 18 MAJ

Manastirliu tha se duke vlerësuar situatën dhe të dhënat sipas draft-planit, nga 18 maji e në vazhdim do të vlerësohet hapja e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura.

Gjatë prezantimit të planit të rihapjes, Manastirliu konfirmoi se kufizimet në këtë plan do të vijojnë për aktivitetet sportive, kulturore e sociale, grumbullimet me më shumë se 5 persona dhe që konsiderohen me risk të lartë.


Shtuar 1.05.2020 07:20