Pipero: Kjo javë do jetë e qëndrueshme, çfarë pritet të ndodhë pas 7-8 ditësh

Ditën e sotme, numri i të prekurve nga koronavirusi në vend shkoi në 383, ku u regjistruan vetëm 8 raste të reja.

Lidhur me situatën aktuale të pandemisë, ka folur dhe mjeku Pëllumb Pipero i cili deklaron se kjo javë do të shënojë shifra pak a shumë të njëjta, një shesh pushim sa i takon kurbës së të infektuarve për ta çuar më pas gradualisht drejt rënies.

Në një intervistë me skype për Ora Neës, Pipero beson se pas 7-8 ditësh ndoshta duhet të nisin të zbuten masat shtrënguese të qeverisë, por kjo jo për të të moshuarit dhe për të sëmurët kronikë.

Ata vijojnë të jenë më të rrezikuarit qoftë me 2 raste qoftë me 100 raste të infekuarish me COVID-19. “Duhet të jemi të përgatitur për një kohë të gjatë me masa shtrënguese më të lehta por më të shtrënguara, sidomos pensionistët dhe të sëmurët kronikë” nënvizon ai.

“Situata në spitalin COVID-1, spitali infektiv është dinamike. Kemi pacientë që bëhen gati të dalin nga spitali. Dita-ditës po shtohet numri i të shëruave dhe ky është një lajm i mirë kemi dhe pacientë, raste të mesmë, të rëndë dhe raste kritike, 2-3 në terapi intensive.

“Duket sikur ka kontradikta në shifra por unë nuk e lidh problemin me përqasjen që ka bërë vendi ynë në raport me testimet. Kam qenë pro kësaj qasjeje, testime për konfirmim dhe diagnozë dhe jo testim për depistim, dhe po të keni vënë re % e rasteve pozitive është relativisht e lartë pasi epidemiologët gjurmojnë fort rastet e kontaktit të afërt.

Fakti që kemi disa familje me numra të shtuar rastesh të konfirmuar e dëshmon më së miri këtë, dhe kur vjen puna për të bërë përqindjet qoftë të sëmundshmërisë a vdekshmërisë duket përqindje e lartë. Është herët për të diskutuar për % e vdekshmërisë, duhet të presim të kalojë vala e epidemisë për tiu referuar shifrave.

Ajo që di tju them se është se në raport me projeksionin e pritshmërinë jemi shumë mirë, edhe pse çdo jetë e humbur është e dhimbshme dhe jo e lehtë për këdo” – deklaroi Pipero.

Lidhur me gjendjen në Shkodër, ku pati një shpërthim të menjëhershëm, Pipero tha: Situata në Shkodër është më ndryshe. Nga informacionet që kam shumë lokale janë të hapura dhe pse duket sikur janë me qepena të mbyllur, ka njerëz brenda.

Qytetarët nuk respektojnë si duhet qoftë vendimet e qeverisë dhe këshillat e mjekëve, fakti që rastet e shtuara janë në rrethe të ngushta familjare është relativisht qetësuese sepse po të kishte shumë vatra do të ishte shumë më e rëndë situata.

Në radhë të parë e kemi të përqëndruar vatrat dhe është punë e lavdërueshme e epidemiologëve të Shkodrës që i kanë gjurmuar siç duhet. Në rast se gjurmojmë rastet në kontaktet të afërt izolojmë shumë shpejt edhe këto vatra të vogla.

Sips Piperos, qeveria i ka marrë masat në kohën e duhur. Kjo javë do të jetë në shifra pak a shumë të njëjta ndoshta pak më poshtë sesa java e kaluar, dhe unë do e quaj një vijë horizontale, apo shesh pushimi dhe gradualisht do nisin të biejnë, të paktën kjo duke iu referuar kurbave në Itali e Spanjë e Kinë.

Por ne jemi më mirë se Italia e Spanja sepse kurba ka qenë e butë pasi qeveria mori masat shumë më parë. Zbutja e rënia e kurbës do të jetë graduale, pra do të zgjasë pak më shumë në kohë por do kemi më shumë mundësi për ta përballuar, sikundër e kemi përballuar. Unë do të thoja që pas 7-8 ditësh ndoshta duhet të nisin të zbuten masat shtrënguese të qeverisë.

E gjykoj racionalitet dhe propocionalitet me ecurinë e epidemisë së vendit tonë. Java që sapo lamë ishte e pikut, dhe kjo javë është ajo e sheshpushimit. Duhet të jemi të përgatitur për një kohë të gjatë me masa shtrënguese më të lehta por më të shtrënguara, sidomos pensionistët dhe të sëmurët kronikë.

Pra pavarësisht se masat mund të lehtësohen nuk duhet të jenë të lehtësuara dhe nuk mund të lehtësohen për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë pasi ato vazhdojnë të jenë të rrezikuar një lloj si kur kemi 2 raste apo 200 raste. Për ta periudha qëndrimit të detyruar në shtëpi do të jetë më e gjatë. Në përputhje me to do të kemi dhe rigjallërim të aktivitetit ekonomik, por i mbetet qeverisë të marrë masat e duhura në përputhje me rekomandimet e specialistëve” përfundoi doktor Pëllumb Pipero.


Shtuar 7.04.2020 16:20