Nuk janë kufizimet, zyrtari i lartë i OBSH gjen zgjidhjen finale për koronavirusin

Deri më tani, doktorët nuk kanë gjetur asnjë kurë të drejtpërdrejt ndaj koronavirusit.

Të gjithë pacientët e shtruar në spitale trajtohen me ilaçe që lehtësojnë gjendjen deri sa trupi t’i përgjigje virusit, por jo se kanë ndonjë medikament që sulmon direkt virusin.

Rrjedhimisht, zgjidhja është gjetur tek parandalimi.

Kështu, këshilltari i lartë i Drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetit Dr. Bruce Aylward ka zgjidhjen e tij, të cilën kërkon që ta aplikojë çdo vend, raporton Time.

Sipas tij, deri në gjetjen e vaksinës, zgjidhja është (1) zbulimi sa më parë dhe pas zbulimit (2) izolimi i rasteve të zbuluara.

Aylëard thekson se zbulimi duhet bërë përmes kryerjes së testeve masive të popullsisë duke ndjekur shembullin gjenial të Koresë së Jugut.

Kjo e fundit aplikoi testimin masiv dhe jo rast pas rasti siç vepron Shqipëria. Testimi masiv bëri që të zbulohen sa më shumë të prekur brenda një kohë të shkurtër duke marrë masa direkt ndaj tyre, siç është izolimi dhe trajtimi në spital nëse do jetë nevoja.

Aktualisht, mjaft vende po aplikojnë kufizimin e lëvizjeve, por sipas Dr. Bruce Aylward kjo nuk funksionon sepse virusi mund të shpërthejë një moment tjetër.

Mundësia e shpërthimit të virusit në një moment të dytë nëse aplikohen vetëm kufizimet është konfirmuar edhe nga studiues të tjerë.

“Nëse nuk merren masa përmes zbulimit dhe izolimit të të prekurve, thjesht kufizimi i qytetarëve është si të shkelësh frenat dhe në momentin që ti heq këmbën nga frenat do të përballesh sërish me valë të reja virusi”, u shpreh ai për Time. /albeu.com


Shtuar 27.03.2020 08:54