Një vajzë nxjerr zbuluar dy palestinezët, bënë “kërdinë” me vjedhje në Tiranë

Operacion për parandalimin e vjedhjeve të dyqaneve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Start one”, nga Komisariati i Policisë Nr. 3.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.

Zbardhen dhe dokumentohen disa vjedhje të ndodhura më parë, të kryera nga këta shtetas.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale aparate celularë dhe sende të tjera.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve të automjeteve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë nga pronarja e një dyqani të vjedhur në Rrugën e Durrësit, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara dhe një pune disaditore, kanë organizuar dhe finalizuar operacion policor “Start one”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– Y. L., 26 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.

– O. E., 24 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë A. B., 18 vjeç, lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë.

Në bazë të hetimeve dhe të provave materiale (pamjeve filmike dhe dëshmi) rezulton se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura gjatë ditëve të para të muajit janar 2020 dhe konkretisht:

– Më datë 02.01.2020, në një bar kafe, në rrugën “Zenel Baboci” kanë vjedhur një sasi lekësh dhe pije alkoolike.

– Më 06.01.2020, në një dyqan, në Rrugën e Durrësit, kanë vjedhur rroba të ndryshme.

– Më 06.01.2020, në një farmaci, në Rrugën e Kavajës kanë vjedhur telefon.

– Më datë 06.01.2020, në ambientin e një pastiçerie, në rrugën “Ibrahim Rrugova” kanë vjedhur aparat celular dhe një portofol.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale do t’i referohen prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë , në ngarkim Y. L. dhe O. E.


Shtuar 7.01.2020 09:18