Në kërkim ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike, si u kap i riu në Patos

Një 31-vjeçar nga Patosi është arrestuar nga policia pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Njoftohet se I.S ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, pasi i ishte dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg” nga gjykata L`Aquila për “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Njoftimi i plotë

Finalizohet operacioni policor i koduar “PRIMO”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, Interpol Tirana dhe zyra ndërlidhëse Interforza.

Bie në prangat e Policisë 31-vjeçari nga Patosi, për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe zyrës ndërlidhëse Interforza, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “PRIMO”.

Si rezultat i operacionit, në qytetin e Patosit, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Patos.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e L`Aquila, Itali, më datë 20.04.2020 i ka caktuar masën e sigurimit ”Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Maksimumi i dënimit është 24 vjet burgim.

Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 14.06.2020 07:57