Në dy spitalet COVID ka vetëm 33 pacientë, sa ka shkuar numri i triumfatorëve ndaj koronavirusit

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 782 qytetarë. Prej tyre janë 488 të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë sqaron se duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme.

Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përvec zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID 19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbërta, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit.

Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientët aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Ky është nje tregues që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale.


Shtuar 1.05.2020 10:35