Masat e vonuara kundër koronavirusit, merret në pyetje kryeministri Conte

Me shume se dy ore ka zgjatur seanca e pyetjeve ndaj kryeministrit italian, Giuseppe Conte të premten në lidhje me masat e marra nga qeveria për pandeminë.

Prokurorët dëshirojnë të kuptojnë nëse i takonte qeverisë apo rajoneve shpallja e zonave të kuqe dhe nëse ka përgjegjësi penale për këtë.

Të lidhura

None found

Conte tha pas marrjes në pyetje informoi prokurorët në detaje dhe se ka vepruar gjithmonë bazuar në këshillat e shkencëtarëve dhe ekspertëve të fushës si dhe me ndërgjegje.

Përfshirja e Conte në hetime erdhi pasi një grup qytetarësh u ankuan për vdekjen e të afërmve të tyre për mënyrën sesi qeveria menaxhoi pandeminë e COVID-19. Një grup që përfaqëson të afërmit e njerëzve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Bergamo, – një nga vendet më të goditura nga virusi në Itali, i kërkoi prokurorëve për të hetuar përgjegjësinë e mundshme penale në menaxhimin e pandemisë.

Avokati i këtij grupi tha se, rreth 40 kërkesa janë parashtruar mbi mënyrën e trajtimit të virusit në Lombardi, rajoni verior i cili përfshin edhe Bergamon dhe ku ka pasur numrin më të lartë të viktimave.

Qëllimi i këtij hapi është të identifikohen ata që janë përgjegjës për administrimin e situatës dhe të përcaktohet nëse mund të ngrihen kallëzime penale, thanë avokatët.

Autoritetet rajonale në Lombardi janë përballur me kritika të shumta pasi dështuan të shpallin në kohë “zonat e kuqe”, ata janë kritikuar dhe për lënien hapur të një spitali të madh që u bë qendër e infeksionit në fillim të krizës.

Në pyetje nga prokurorët do të merren edhe të tjerë ministra të qeverisë “Conte”.

Rajoni i Lombardisë vijon të jetë më shqetësuesi, pasi mbi 70% e të infektuarve të rinj u regjistruan aty.

Autoritetet shëndetësore nuk përjashtojnë mundësinë e një vale të dytë infeksioni nga Covid-19, por theksojnë se janë të gatshëm ta përballojnë. Pavarësisht këtij rreziku, Italia do të vazhdojë me planin e saj për rihapjen graduale të ekonomisë së vendit.

Në fazën e tretë do të kthehen në aktivitet kinematë, duke filluar nga 15 qershori, por me norma të rrepta sigurie.


Shtuar 13.06.2020 07:17