Marin Mema “i përvishet” Ramës: Ende nuk e ke hequr taksën e TVSH-së për materialet e rindërtimit

Gazetari Marin Mema i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të hiqet TVSH-ja për materialet e ndërtimit e gjithashtu që rindërtimi i banesave për të prekurit nga tërmeti të nisë sa më parë.

Por për kërkesën e parë, kreu i qeverisë nuk u tregua i qartë, kurse për të dytën shfaqi kundërshti në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit. Mema është pjesë e fondacioneve që do ndihmojnë në procesin e rindërtimit, ndërkohë që shprehu shqetësimin që të ndihmohen sa më parë njerëzit në nevojë.

“Duke qenë se kemi nisur procesin e rindërtimit të 4 shtëpive, kemi hasur në një problem që është çështja e TVSH, e cila në fakt u deklarua se do të hiqej në mbledhjen e një muaji më parë.

U deklarua se do të hiqej TVSH për materialet e rindërtimit por deri sot ajo nuk është hequr. Ne e kemi këtë problem madhor. Do të duhet që të paktën për 3 javë duhet të dorëzojmë 3 shtëpitë e para, dhe i bie që në 3 shtëpi, shteti të mbajë vlerën e 1 shtëpie vetëm për TVSH.’, tha Mema.

Kurse kreu i qeverisë u përgjigj se “çështjen e TVSH-së nuk e di, por këtë nisjen përpara nuk e përshëndes, sepse kemi bërë një bisedë të qartë, të gjithë bashkë, këtu në tavolinë, që këtu nuk është çështja kush niset përpara, këtu është çështja që të përfundojmë të gjithë brenda një plani të integruar.”.


Shtuar 12.02.2020 10:59