”Illyrian Guard, kompania shtetërore që dhunon konkurrencën e lirë”

Në fillim të muajit prill 2019 qeveria krijoi një strukturë të re policore, Illyrian Guard, e cila do të operonte në treg si shoqëri tregtare për të ofruar shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe privatë; një strukturë tërësisht me kapital shtetëror që vepron si një kompani private.

Ndërkohë që janë privatizuar thuajse të gjitha shërbimet e tjera që kanë qenë publike, qeveria vendosi të krijojë një shoqëri publike për të ofruar shërbime private.

Illyrian Guard hyri në treg në një kohë aspak të mirë për kompanitë private të sigurisë.

Grabitjet e vazhdueshme të bankave dhe agjencive të tjera të depozitimit valutor kulmuan me supergrabitjet brenda aeroportit Nënë Tereza.

Qeveria e motivoi këtë ndërhyrje të paprecedent, sipas specialistëve në këtë treg, me shërbimin e dobët të privatëve, të cilët kishin angazhuar njerëz të patrajnuar dhe të keqpaguar.

Illyrian Guard do të rekrutonte burime njerëzore mes personave që dilnin nga radhët e Policisë së Shtetit dhe që për pasojë do ishin më të trajnuar, si dhe do të kishin standarde më të larta pune e pagese.

Shteti futet “dhunshëm” në një treg të lirë
Në dukje krijimi i saj është në interes të publikut, pasi do të ofrojë siguri më të madhe për institucionet që ruan.
Por, a e cenon konkurrencën e lirë kjo “polici private” me kapital shtetëror?

Në pikën 10 dhe 11 të vendimit për krijimin e Illyrian Guard shkruhet: “Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen me kërkesë kësaj shoqërie për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.

Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi”.

Illyrian Guard është hedhur në një treg të lirë duke patur nga pas shtetin, që jo vetëm i mbulon kostot dhe investimet, por edhe urdhëron subjektet që fillimisht shërbimin e sigurisë ta kërkojnë te kjo kompani. Vetëm nëse ajo do ta refuzojë për shkak të pamundësisë, atëherë ato mund të kërkojnë shërbime te kompanitë e tjera private.

Ledio Braho është avokat. Ai mendon se krijimi dhe funksionimi i kësaj shoqërie është i paligjshëm.

“Ky vendim është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), pasi përjashton nga procedurat e prokurimit publik të gjitha kontratat për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike të subjekteve publike”, – thotë avokati Ledio Braho, i pyetur për këtë çështje nga ky program.

Kjo kompani nuk sillet aspak si një operator i lirë në një treg konkurrent.
Ajo depërton në treg me urdhër duke përfituar shërbime që duhej t`i përfitonte me garë.

“Vendimi shtrembëron konkurrencën, pasi favorizon në mënyrë arbitrare Illyrian Guard, e cila është krijuar me kapital shtetëror. Sipas VKM-së, Illyrian Guard ka përparësi absolute në lidhjen e kontratave për ofrimin e shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike. Edhe kjo bie ndesh me Ligjin nr. 9374, ku thuhet se, “përveç rasteve të parashikuara ndryshe në këtë ligj, ndalohet çdo ndihmë e dhënë nga burimet shtetërore”, – shton z. Braho.

Kompanitë private, të cilat kanë operuar deri tani në sektorin e ruajtjes dhe sigurisë fizike, janë prekur ndjeshëm nga futja “dhunshëm” në treg e Illyrian Guard. Shumë prej tyre kanë humbur marrëveshjet që kishin me institucionet shtetërore, duke qenë se ky vendimi i qeverisë i detyron institucionet ta kërkojnë shërbimin nga Illyrian Guard.

Vlen të përmendim rastin e QSUT-së, e cila e ka ndërprerë kontratën me Ndreu Security dhe ia ka besuar ruajtjen e institucionit pikërisht Illyrian Guard. Kjo ndërhyrje në treg ka një ndikim të ndjeshëm ekonomik. Shumë kompani private, duke mos pasur mundësi të futen në procesin e tenderimeve, po detyrohen të shkurtojnë punonjësit e tyre. Edhe shumë institucione të tjera kanë marrë urdhër që t`i zëvendësojnë kompanitë e sigurisë me Illyrian Guard. Këtë urdhër e kanë refuzuar vetëm bankat dhe disa shërbime diplomatike, si dhe institucione ndërkombëtare, të cilat kanë vazhduar të operojnë sipas rregullave të tregut, përmes procedurave të tenderimit.

A ofron më shumë siguri Illyrian Guard?
Përveç mospërputhjeve ligjore që përmendëm më lart, Illyrian Guard është furnizuar me armë nga Policia e Shtetit (gjë, e cila është e ndaluar); nuk ka pasur një uniformë zyrtare dhe policët e kësaj strukture nuk kanë regjistër në Drejtorinë e Policisë. Illyrian Guard ka mungesë kapacitetesh, nuk ka salla operative, madje nuk ka as autorizim nga AKEP për përdorimin e valëve për radiomarrëset.

Gjatë krijimit të Illyrian Guard kryeministri, Edi Rama, ka deklaruar: “Kjo strukturë e re do të japë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private që shpeshherë është thithëse e madhe e nevojave publike dhe shpeshherë nuk e ofron kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit. Policët e Illyrian Guard do të jenë të stërvitur dhe të trajnuar”.

Por, ku i ka marrë punonjësit e saj kompania shtetërore Illyrian Guard?

Disa prej policëve të kompanive private, që janë shkarkuar nga puna ose jo, i janë bashkuar Illyrian Guard që mos mbeten pa punë.

Ne disponojmë listën e mbi 100 policëve të Ndreu Security, të cilët tashmë janë pjesë e Illyrian Guard. Janë pra po ata policë “të keqtrajnuar” që kanë ndërruar uniformë.

Shoqata e shoqërive private të ruajtjes dhe sigurisë i ka dërguar një letër Komisionit Europian, ku ankohet se Illyrian Guard po shkel dhe dëmton MAS (Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit).

KE e ka marrë në konsideratë ankesën e Union Security Albania.

Ky union i ka dërguar edhe një shkresë Autoritetit të Konkurrencës, ku ankohet për prishjen e konkurrencës nga ana e Illyrian Guard. Në përgjigjen e dërguar nga Autoriteti i Konkurrencës shkruhet: “Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë shoqërisë Illyrian Guard SH.A., që gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj të respektojë parimet e konkurrencës dhe dispozitat ligjore që burojnë nga Ligji nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar dhe sidomos respektimin e nenit 9 të këtij ligji, por ky rekomandim nuk ka prodhuar asnjë efekt.

Union Security Albania i është drejtuar gjykatës duke paditur Ministrinë e Brendshme dhe Illyrian Guard. Gjatë seancës së parë juristja e Ministrisë së Brendshme u mbrojt duke thënë se Illyrian Guard lindi si nevojë për t’u krijuar, sepse shërbimi i policive private ka probleme.

Ndërkohë, ne mësuam se edhe drejtuesi i Illyrian Guard, Henrik Elmazi, ka qenë më herët president dhe drejtor teknik i Alsig Group, një kompani që operon në fushën e sigurisë private.

Megjithatë, Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur rrëzimin e padisë së paditësit Union Security Albania.
Melsena Danglli
Qendra për gazetari cilesore


Shtuar 26.03.2020 21:00