Histori si në filma, nëna takon pas 36 vitesh të bijën

“Ka një mesazh për ty” në Tv Klan solli sot historinë e pabesueshme dhe të trishtë të 36-vjeçares Danita. Ajo në studio ka treguar se kur ishte 17 vjeç zbuloi se ishte e adoptuar. Për një periudhë të gjatë kohe iu lut mamasë që e kishte rritur t’i tregonte të vërtetën për mamanë biologjike, por ajo gjithmonë refuzonte.

Një ditë, Danita vendos të largohet nga shtëpia dhe sëbashku me të dashurin që ishte në një lidhje prej 3 vitesh vendosën të shkojnë në Itali, pa e ditur se çfarë e priste.

Kur shkoi aty kuptoi se i dashuri e kishte çuar në Itali me synimin për ta trafikuar. Fatmirësisht arriti të shpëtojë dhe shkoi e denoncoi në polici. Nga frika që kishte prej tij nuk doli nga shtëpia për një vit dhe gjithashtu për 15 vite nuk u kthye në Shqipëri.

Danita: Unë me këtë djalin kemi shkuar në Itali.

Ardit Gjebrea: Me çfarë?

Danita: Kemi shkuar siç shkonin atëherë me gomone, por nuk e dija çfarë më priste atëherë sepse ai kishte arsye që më solli në Itali. Sepse donte të më trafikonte. Më falni.

Ardit Gjebrea: Nëse ka një gjë të rëndë që një njeri mund të bëjë në jetë është pikërisht kjo gjë.

Danita: Fatmirësisht, unë i kërkova ndihmë një zotërie dhe kam shkuar direkt në kuesturë, sepse atë gjë që kishte ai ndërmend ta bënte, unë nuk mund ta bëja. Sepse një gjë është kur ti do ta bësh me dëshirë një gjë e bën me dëshirë, por kur të detyrojnë dhe ti nuk je tip që mund ta bësh atë gjë gjen gjithë mënyrat për të shpëtuar.

Ardit Gjebrea: Dhe ti shpëtove?

Danita: Unë shpëtova, shkova në kuesturë edhe..

Ardit Gjebrea: E denoncove?

Danita: E denoncova, por nuk di ku është, ku s’është dhe unë për 15 vjet nuk kam ardhur në Shqipëri sepse kam pasur frikë.

Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk di asgjë për atë njeri? Jeton, nuk jeton? Është në burg? Ka shpëtuar?

Danita: Nuk di asnjë gjë!

Ardit Gjebrea: E ka vrarë ndërgjegjja? Paguan për atë që ka bërë apo jo?

Danita: S’ma merr mendja sepse nëqoftëse atë e vret ndërgjegjja, nuk mund as të merrte guximin dhe të më sillte mua në Itali, edhe të mendonte të bënte gjëra kështu.

Ardit Gjebrea: Dhe ti nuk u ktheve për 15 vite në Shqipëri?

Danita: Nuk u ktheva për 15 vite!

Ardit Gjebrea: Çfarë bëre?

Danita: Kuestura më çoi në një shtëpi, si i thonë në Itali “casa famiglia”, që është një përgjegjës me gruan, kanë fëmijët e vet, kanë fëmijë të adoptuar.

Ardit Gjebrea: Sa kohë qëndrove në këtë shtëpi-familje le ta quajmë?

Danita: Unë qëndrova gati 2 vjet sepse për një vit, unë nuk kam dalë nga dera e shtëpisë së atyre sepse kisha frikë të dilja. Pastaj avash-avash kur pashë gjërat që nuk ndodhën më shumë atëherë fillova të dal pak. Ky përgjegjësi i kësaj shtëpie-familjeje më gjeti punë, që dhe sot jam unë aty.

Por nuk mbaron me kaq sepse pas dy vitesh, Danita njohu një tjetër person dhe filloi me të bashkëjetesën. Aty Danita kuptoi se ai ishte i dhënë pas pijes dhe fillloi të ushtronte dhunë çdo ditë ndaj saj. Nga dhuna e madhe, një ditë ajo përfundoi në spital, por aty kuptoi se ishte shtatzënë.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha kur i the je shtatzënë?

Danita: Më tha nëse ti do të rrish me mua dua ta abortosh. Dëgjo i thashë, unë as që kam për ta abortuar dhe as që kam për ta braktisur vajzën. Sepse më erdhi në mend historia e mamasë time. Unë dua ta falenderoj mamanë time të vërtetë, që nuk më ka vrarë sepse më ka dhënë jetën, edhe unë ashtu bëra me vajzën.

Ardit Gjebrea: Ti nuk doje të përsëritej?

Danita: Gabimin që ka bërë mamja ime, unë nuk dua ta bëj me vajzën time.

Ardit Gjebrea: Ti vendose ta mbaje vajzën dhe u ndave prej tij?

Danita: Ai tha në rregull meqë vajza është më e rëndësishme për ty, unë po iki. Unë linda dhe vajza ime e ka emrin Sara.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është?

Danita: 11 vjeç!

HISTORIA E NËNËS BIOLOGJIKE

Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme një historinë e dhimbshme të zonjës Fatbardha. Ajo kur ka qenë vetëm 19 vjeç ka njohur një djalë, por për shkak të kohës dhe rrethanave të atyre viteve, lidhja e tyre vazhdoi në fshehtësi, derisa ajo kuptoi se ishte shtatzënë. Djali që ajo dashuronte e braktisi, ndërsa në familje dhe jashtë saj ndihej e paragjykuar.

Ardit Gjebrea: Ti kthejmë kujtimet dhe të çlirohemi njëherë e përgjithmonë!

Fatbardha: U njoha me një djalë!

Ardit Gjebrea: Ku?

Fatbardha: Në Vlorë, ku punonim. Ai ishte shofer, unë punoja. U njohëm atje, takoheshim fshehur, se ishte shumë e vështirë koha atëherë, e dini dhe vetë. U dashuruam, por ishin kohë shumë të vështira.

Ardit Gjebrea: Mentaliteti i asaj kohe!

Fatbardha: Po ishte sistemi, vëllezërit e mi ishin fanatikë, prindërit i kisha… Si prindërit e mi nuk kishte, ishin shumë të dashur. Po nuk ia vë fajin as prindërve, as vëllezërve, po ia lë fajin kohës që ishte atëhere.

Ardit Gjebrea: Sa vjeçe ishe?

Fatbardha: Kur u njoha me atë djalin?

Ardit Gjebrea: Po!

Fatbardha: 19! Vazhduan takoheshim në fshehtësi, kishim lidhje gati një vit dhe pastaj e kuptova që ndodhi ajo që ndodhi.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Fatbardha: Ngela shtatzënë! Bisedova me prindërit.

Ardit Gjebrea: Nuk donin?

Fatbardha: Jo se nuk donin, por ishte koha atëhere!

Ardit Gjebrea: Qartë! Ti Fatbardha kur takoheshe me këtë djalin kishe folur me prindërit e tu për të?

Fatbardha: Jo e kisha shumë të fshehur. Takoheshim në fshehtësi të madhe.

Ardit Gjebrea: Po pse nuk guxoje t’u thoje prindërve që unë kam rënë në dashuri dhe dua një djalë?

Fatbardha: E kishim të fshehur muhabetin, nuk mund të thoja!

Ardit Gjebrea: Nga se druheshe?

Fatbardha: Druhesha nga vëllezërit, nga…

Ardit Gjebrea: Kur mbete shtatzënë ia the familjes?

Fatbardha: Ia thashë prindërve.

Ardit Gjebrea: Dhe ata?

Fatbardha: Pastaj e morën vesh vëllezërit, nuk donin. Pse motra jonë…?

Ardit Gjebrea: Çfarë të thanë prindërit?

Fatbardha: Prindërit nuk e donin më veten, na turpërove. Kishin shumë të drejtë të acaroheshin.

Ardit Gjebrea: A nuk të kërkuan martohu me këtë djalë?

Fatbardha: Ai djali e mori vesh që isha shtatzënë.

Ardit Gjebrea: Ai çfarë tha?

Fatbardha: Ai u takua 2-3 herë me mua pastaj u shkëput, nuk kishim lidhje.

Ardit Gjebrea: Pati frikë?

Fatbardha: Pati frikë, as vetë se kuptova.

Ardit Gjebrea: Nuk donte të merrte përgjegjësi?

Fatbardha: S’mori përgjegjësi për asgjë.

TAKIMI MES NËNËS DHE VAJZËS SË SAJ PAS 36 VITESH

Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditë e sotme historinë e vështirë të Fatbardhës. Ajo tregoi në studio se pasi e lindi vajzën e saj, në 20 Gusht në 1983 vendosi ta çonte në shtëpinë e fëmijës, sepse familja e saj nuk e pranonte dhe i dashuri e kishte braktisur. Gjithashtu ajo ndihej e paragjykuar edhe nga ana e opinionit.

Pak kohë më vonë, ajo shkon ta kërkojë vajzën, por i thanë që vogëlushja ishte birësuar nga një familje në Elbasan. Fatbardha e ka kërkuar për 36 vite. por pa mundur ta gjejë. Ajo i është drejtuar stafit të “E Diela Shqiptare”, por në të njëjtën kohë, edhe vajza e saj gjithashtu i është drejtuar emisionit për të gjetur nënën e saj biologjike.

Ardit Gjebrea: Po ti nuk pate një jetë tjetër?

Fatbardha: Atje ku jetoj në Greqi jam e vetme, s’u lidha vetëm për atë shkak.

Ardit Gjebrea: Vetëm për shkak të vajzës?

Fatbardha: Vetëm punoj atje.

Ardit Gjebrea: Nuk je martuar kurrë?

Fatbardha: Jo!

Ardit Gjebrea: S’ka pasur asnjë tjetër lidhje në jetën tënde?

Fatbardha: Asgjë! Nuk doja dhe vetë.

Ardit Gjebrea: Sa vite kanë kaluar?

Fatbardha: 37 vite!

Drejtuesi i emisonit Ardit Gjebrea, i thotë se ata e kanë gjetur vajzën dhe ajo ka qenë e pranishme dhe ka dëgjuar gjithë historinë e jetës së saj. Fatbardha emocionohet dhe nuk mund t’i mbajë dot lotët sepse pas 37 vitesh, nënë e bijë panë njëra-tjetrën. Ajo i kishte vendosur emrin Alketa, ndërsa mamaja që e rriti emrin Danita.

Ardit Gjebrea: Tani nuk e di Danita apo Alketa si të të thërras? Të paktën në këtë moment a më lejon të të thërras Alketa?

Alketa: Po!

Ardit Gjebrea: E dëgjove mamin tënd?

Alketa: Po!

Ardit Gjebrea: Çfarë mendove gjatë gjithë kësaj kohe?

Alketa: Nuk e paragjykoj!

Ardit Gjebrea: Tregoji mamit tënd çfarë ke menduar gjatë gjithë kësaj kohe?

Alketa: Kam menduar gjithmonë kush je? Pse më ke braktisur? Por gjithmonë të kam menduar. Unë s’të kam kërkuar për motivin që mos i lëndoj prindërit e mi që më kanë rritur, por gjithmonë e kam pasur mendjen që të kërkoj, nga vij dhe kush jam.

Ardit Gjebrea: Çfarë mendoni të bëni bashkë?

Fatbardha: Çfarë të dojë vajza, ajo duhet të vendosi, unë jam gati për çdo gjë.

Ardit Gjebrea: Cili është mendimi i parë që të vjen tani në mendje Alketa?

Alketa: Nuk e di të flas, ta takoj.

Ardit Gjebrea: Atëherë takoje çfarë pret!

Për herë të parë në studio, nënë e bijë takohen me njëra-tjetrën dhe Fatbardha nuk mund të ndahet dot nga përqafimi i së bijës.


Shtuar 2.02.2020 18:02