Fenomeni kërkon te Valladolid lojtarin shqiptar

Keidi Bare mund të bëjë realitet ëndrrën e tij për t’u rikthyer në La Liga. Mesfushori i Kombëtares që ka luajtur me Atletiko Madridin dhe po shkëlqen në Ligën e Dytë me Malagën, mund të largohet për të provuar një aventurë të re.

Pak ditë më parë “Marca” raportoi se mesfushori kërkohet nga dy skuadra të La Ligës por pa përmendur emra.

Ndërkohë, “Vip Sport” mëson se Real Valadolid është skuadra që kërkon shërbimet e mesfushorit kuqezi. Klubi i Ronaldo Fenomenit kërkon të sigurojë sa më shpejt mbijetesën pasi e sheh veten në mesin e tabelës dhe të shkëputur nga vendet e fundit në tabelë.

Kalimi te Valadolid do të ishte një hap para për mesfushorin duke marrë parasysh faktin se do të luante në një ligë shumë më të fortë dhe në një skuadër, ku mundësitë për të luajtur titullar janë të shumta. Ditët në vijim pritet që të ketë edhe të tjera zhvillime dhe mbetet tashmë të shihet nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët për një largim që në merkaton e janarit.


Shtuar 2.01.2020 15:55