Tërhiqet Rama, Meta nuk do të shkarkohet

Presidenti Meta nuk do të shkarkohet nga detyra.

Partia Socialiste është tërhequr pasi deputetët socialistë kanë deklaruar në Komisionin Hetimor se shkeljet e kryera nga Meta nuk përbëjnë shkak për shkarkim.

Deputetja e PS Klotilda Bushka theksoi se shkeljet e kryera nga Presidenti ekzistojnë, por kjo përplasje bën që të miratohen disa rregullime ligjore në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi probleme të ngjashme.

Bushka u ndal tek dekreti i Metës për të anuluar zgjedhjet e qershorit duke argumentuar se bëhet fjalë për shkelje nga Presidenti, por gjithsesi zgjedhjet u zhvilluan dhe ai dekret nuk pati pasoja të rënda.

“Ka patur shkelje të Presidentit në lidhje e zgjedhjet e qershorit, por për të analizuar çfarë pasojash sollën këto shkelje, rezulton se ka patur raste të dhunës, megjithatë këto tensione janë mbajtur nën kontroll dhe nuk ka patur situata dhune.

Këto zgjedhje u realizuan dhe u menaxhuan mirë. Pra nuk pati pasoja thelbësore nga anulimi i zgjedhjeve të qershorit nga Presidenti Meta“, thekson deputetja e PS.


Shtuar 17.07.2020 09:46