Futbollistët e Realit në karantinë, anullohen ndeshjet në La Liga dhe Champions?

Lojtarët dhe stafi i ekipit të futbollit Real Madrid thuhet se janë dërguar në karantinë për 15 ditë pasi një basketbollist i këtij klubi doli pozitiv në testin për koronavirus.

El Chiringuito TV zbuloi lajmin të enjten në mëngjes. Ekipi i basketbollit stërvitet në të njëjtin vend me ekipin e futbollit dhe testi pozitiv nënkupton që lojtarët mund të kenë qenë në kontakt me virusin.

Sipas protokolleve, lojtarët do të jenë në izolim për dy javët e ardhshme, që do të thotë se dy ndeshjet në La Liga, si dhe sfida me Manchester Cityn në mesjavë në ‘Etihad’ janë vënë në dyshim të madh.

Lajmi nënkupton se e gjithë Liga e Kampionëve është në rrezik të mëtejshëm pas lajmeve të së mërkurës mbrëma se mbrojtësi i Juventusit, Daniele Rugani ishte testuar pozitivisht për virusin.

Testi i Rugani do të thotë që shokët e tij të skuadrës do të duhet të jenë në karantinë, duke e futur në dyshim serioz ndeshjen e tyre kundër Lyonit, me futbollin italian tashmë të pezulluar në të gjithë vendin.


Shtuar 12.03.2020 11:03