Vuçiç Amerikës: Nuk ka njohje të Kosovës, po nuk fitoi dhe Serbia diçka

Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi në Novi Sad se nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, nëse edhe Serbia nuk fiton diçka prej kësaj. I pyetur nga gazetarët vendas sesi do t`i përgjigjet Beogradi atij që e quajtën ultimatum i Prishtinës, ai iu përgjigj;

“Çfarë ultimatumi? Që ne të detyrohemi t’i pranojmë, e të mos fitojmë asgjë? Nuk del gjë prej kësaj. Ata le të bëjnë punën e vet, ne do të bëjmë tonën, dhe pastaj, të shohim se kush del më i suksesshëm“, tha presidenti serb, duke shtuar se për çdo rast është vendimtare të ruhet paqja dhe stabiliteti.

Ai konfirmoi se Washingtoni është serioz në qëllimet që taksa e Prishtinës ndaj produkteve serbe të hiqet dhe se beson se trysnia amerikane do të vazhdojë. Por ndërkohë, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, e ka bërë të qartë se Kosova duhet të heqë taksat ndaj mallrave serbe, ndërsa nga ana tjetër Serbia duhet ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Kjo e fundit nuk po ndodh, siç u pa nga deklaratat e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç që pak ditë më parë trumpetoi me të madhe tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone.


Shtuar 5.03.2020 11:28