Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Inspektoratit Policor të Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, me anë të Xhelal Sveçla, ka shkarkuar sot nga detyra kryeshefen e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Këtë e ka bërë të ditur Sfeçla përmes një shkrimi në Facebook.

Të lidhura

None found

Sipas tij, vendimi erdhi pas analizës së gjetjeve nga raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018.

Më tej, Sveçla sqaron se vendimin për shkarkim e ka marrë edhe duke pasur parasysh letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.

“Gjetjet e raporteve e bëjnë të domosdoshëm shkarkimin. Në krye të institucioneve na duhen njerëz që respektojnë ligjin dhe iu garantojnë qytetarëve transparencë të plotë, shërbim profesional e mbrojtje. E kjo është edhe më e rëndësishme kur flasim për drejtuesit në institucionet e rendit publik e ata të Policisë së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë, duke mbajtur përgjegjësi maksimale dhe duke mos lejuar shkeljet, e forcojmë shtetin”, ka shkruar Sveçla në Facebook.


Shtuar 23.04.2020 14:26