Konjufca bisedon me homologun gjerman për liberalizimin e vizave

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ka pasur një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass.

Konjufca ka bërë të ditur se me homologun e tij gjerman ka biseduar rreth pandemisë së COVID-19, heqjen e taksës dhe aplikimin e reciprocitetit si dhe për liberalizimin e vizave.

“Gjatë kësaj bisede kemi diskutuar për masat e ndërmarra deri tani për ballafaqimin me pandeminë. Kësaj radhe me z.Mass diskutuam për Procesin e Berlinit dhe për raportet me vendet e rajonit. Ndër të tjera e kam informuar ministrin gjerman për heqjen e taksës 100 për qind dhe për aplikimin e reciprocitetit ndaj Serbisë. Natyrisht që gjatë kësaj bisede telefonike kemi folur edhe për marrëdhëniet në mes të dy shteteve tona dhe sigurisht që si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës kam kërkuar që të na mbështesin në procesin për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Konjufca ka pohuar se i ka shprehur mirënjohje Mass dhe se i ka treguar që i gëzohet faktit që Gjermania e merr udhëheqjen e radhës të BE-së në korrik.


Shtuar 17.04.2020 14:08