COVID-19 në Kamenicë, i bëhet testi 11 personave për të parë se a janë shëruar

39 persona nga komuna e Kamenicës janë konfirmuar të prekur me COVID-19 deri më tani. Rastet e fundit në këtë komunë u shënuan mbrëmë, ku 5 persona rezultuan pozitivë në testimet për koronavirus. Numri i të shëruarve në këtë komunë ka shkuar në 5, ndërkaq sot do të ritestohen edhe 11 persona të tjerë, për të parë nëse janë shëruar apo jo nga COVID-19.

Zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti, ka thënë se nuk ka mostra të tjera nga Kamenica që pritet të testohen sot.

“Së fundmi janë marrë 43 mostra në Kamenicë, prej tyre 30 mostra janë të kontakteve d.m.th. teste te reja, dhe 13 janë ritestime të personave me sëmundjen COVID-19. Nga këto mostra pesë prej tyre kanë rezultuar pozitivë dhe të gjithë janë nga Poliçka”, ka treguar Rashiti shkruan ekspress.

Ajo shtoi se në komunën e Kamenicës deri më tani nga 39 persona të konfirmuar me COVID-19 janë shëruar 5 prej tyre.

Po ashtu, Rashiti bëri të ditur se 11 persona nga Kamenica, të prekur me COVID-19 do të ritestohen sot për të parë nëse kanë fituar betejën me koronavirusin.

“Zyrtarisht kemi edhe dy të shëruar të tjerë. Shifra e të shëruarve në komunën tonë arrin në pesë. Sot janë marrë edhe 11 mostra për ritestim, të cilat shpresojmë se do të rezultojnë të shëruar”, ka thënë Rashiti.

Ndërkohë, numri i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 790.

Nga ta janë shëruar 232, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.

Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.


Shtuar 29.04.2020 13:21