FOTO/ Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj, autorët hynë mes dy automjeteve dhe qëlluan me breshëri për 50 metra rresht

SPAK realizoi ditën e sotme operacionin e koduar “Komploti” në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i 5 personave, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.

Aksioni top sekret u zhvillua në disa qytete, në kuadër të zbardhjes së atentatit ndaj, ku pati kontrolle në disa banesa.

SPAK ka identifikuar si autorë të atentatit shtetasit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, ndërsa personat e arrestuar sot cilësohen si bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij operacioni janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasit:

– Bashkim Haxhija, 54 vjeç

– Marsel Decka, 38 vjeç;
– Endrit Sinani, 29 vjeç;
– Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç,
– Juljan Pjetri, 45 vjeç

Si ndodhi atentati?

Në fotot e siguruara nga Albeu.com shihet edhe momenti i kryerjes së atentatit të ndodhur më 1 nëntor 2019 tek mbikalimi i Shkozetit.

Në pamje duken automjetet që shoqëronin ish-prokurorin Ndoji. Bëhet fjalë për makinën e autorëve dhe makinën ku ishte edhe personi i njohur si Rrumi i Shijakut.

Makina e autorëve ka hyrë midis dy makinave të tjera dhe për rreth 50 metra ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të makinës së ish-prokurorit.

Njoftimi i SPAK për operacionin “Komploti”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (mbi bazën e akteve të dërguara për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), ka regjistruar procedimin penal Nr.184/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 79/a-22; 79/dh-22; 278/1, 2; 134/2 dhe 333/a të Kodit Penal.

Ky procedim penal ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, ku rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, persona të armatosur të cilët po udhëtonin me një automjet benz, ngjyrë gri, që kishte të vendosura targat AA 342 LM, kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targa AA 333 ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho.

Nga të shtënat me armët e zjarrit, shtetasit të cilët udhëtonin në mjetin me targë AA 333 ZD kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arian Ndoja dhe Aleksandër Laho kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.

Nga veprimet hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal janë identifikuar paraprakisht dy nga autorët që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, konkretisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje.

Në kuadër të hetimeve intensive të pandërprera, është bërë e mundur identifikimi i autorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje, e më konkretisht i shtetasve: P. D., J. M. dhe A. SH, si bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj (të cilët po gjykohen për ngjarjen e datës 01.11.2019), ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se kanë marrë pjesë në episodin e datës 01.11.2019, për kryerjen e veprave penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi); “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe më tepër se një herë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 79/a-22; 79/dh-22; 278/1,2; 134/2; 28/4; 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet e mëtejshme kanë bërë të mundur identifikimin edhe të disa subjekteve të tjerë, të cilët kanë kanë marrë pjesë si para ashtu dhe pas ngjarjes së datës 01.11.2019, periudha gjatë të cilave subjektet e dyshuar kanë ndërmarë një sërë veprimesh për konsumimin e veprave penale.

Më konkretisht, gjatë hetimit janë grumbulluar prova të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit P. D., E. S.,  J. M. A. SH., R. RR. etj, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi).

Gjithashtu, provat e mbledhura gjatë hetimit kanë krijuar dyshimin e arsyeshëm se shtetasit P. D., J. M., B. H., G. N. (alias K. N. dhe E. N.), R. RR., Ariol HALILAJ, J. P. dhe M. D, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, në dëm të shtetasve A.N dhe A.L, G.M dhe A.M, sipas episodeve respektive (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019).

Pas kryejes së shumë veprime hetimore me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për disa persona nën hetim si dhe ka lejuar kontrollin e 10 ambienteve në qytete të ndryshme të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Krujë).

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar 5 masa sigurimi personal për personat nën hetim: B.H., G.N., M.D., E.S., J.P.

Janë shpallur në kërkim shtetasit P.D., J.M., A.SH. (alias D. Sh) dhe R. RR., dhe po bashkëpunohet me autoritetet e huaja për kapjen dhe ekstradimin e tyre.

Ky hetim ka bërë të mundur që të evidentojë rolin e secilit prej të hetuarve në kryerjen e veprave penale, organizatorit, ekzekutorit, ndihmësit etj.

Hetimet e këtij procedimi penal janë drejtuar nga 2 prokurorët e çështjes dhe veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit dhe administrimin e disa prej akteve nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës gjyqësore ndërkombëtare në fushën penale. /albeu.com


Shtuar 20.01.2023 19:07