Lehtësoi masat ndaj COVID 19, shtohet numri i rasteve në Gjermani

Vetëm një javë pasi Gjermania lehtësoi masat kundër koronavirusit, autoritetet raportuan për rritje të lehtë të rasteve në vend, raporton BBC.

Instituti Robert Koch tha sot se niveli i riprodhimit është rritur nga 0.9 sa ka qenë në 1.0.

Çdo shifër nën 1 nënkupton se virusi është duke rënë, ndërsa gjithçka mbi 1 do të thotë se po rritet.

Në fillim të marsit, niveli i riprodhimit ka qenë 3.0, ndërsa më 8 prill ka qenë 1.3.

Instituti Robert Koch për sëmundje infektive tha të martën se ka regjistruar edhe 1,144 raste të reja me koronavirus, që e rrisin në 156,337 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Gjermani, raporton Rel.

Sipas burimit, numri i viktimave u rrit me 163, në 5,913.

Kur ka njoftuar për lehtësimin e masave të izolimit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka bërë të qartë se edhe ndryshimi më i vogël në nivelin e riprodhimit të virusit mund ta ndikojë përgjigjen e qeverisë.

Gjermania, edhe pse ka numër të madh të të infektuarve, ajo ka numër më të vogël të viktimave krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar – secila me mbi 20,000 të vdekur.

Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.


Shtuar 28.04.2020 06:20