Koronavirusi i merr jetën foshnjës së parë në SHBA

Pandemia që ka paralizuar gjithë botën i ka marrë jetën foshjës së parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rasti është regjistruar në Chicago. Departamenti i Shëndetit Publik në Illinois tha që është vdekja e parë e lidhur me COVID-19 e një foshnje në Shtetet e Bashkuara.

“Një hetim i plotë është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar përhapjen e këtij virusi vdekjeprurës. Nëse nuk bëjmë diçka për të mbrojtur veten, të përpiqemi të mbrojmë ata përreth nesh,” tha Dr. Ngozi Ezike, drejtori i IDPH.

Në një konferencë shtypi të shtunën, Guvernatori. J.B. Pritzker tha se një punonjës i shtetit dhe një foshnjë kanë vdekur të dy nga COVID-19.

“Unë e di se sa e vështirë mund të jetë ky lajm … U trondita”, tha ai.

Pritzker përsëriti se ekspertët i kanë thënë atij se rreziku i vdekshmërisë tek fëmijët me COVID-19 është shumë i ulët.

Numri i infeksioneve COVID-19 në Illinois u rrit me 465 raste të reja dhe 13 vdekje shtesë të shtunën. Tani ka 3,491 raste të koronavirusit në shtet, përfshirë 47 vdekje.

Qeveria federale tha se ata po shikojnë Chicagon si një nga pikat e reja të nxehta për infeksionin.

Infeksionet në të gjithë botën tejkaluan 650,000 persona të prekur, me më shumë se 100,000 të prekur në Shtetet e Bashkuara.


Shtuar 29.03.2020 08:17