VIDEO/Skuadra gati, Kombëtarja nis përgatitjet për sfidën ndaj Ishujt Faroe

Pasi siguroi kualifikimin në Kampionatin Europian Gjermani 2024 me barazimin 1-1 ndaj Moldavisë në transfertë, kombëtarja shqiptare pas ndeshjes udhëtoi menjëherë në Tiranë.

Stafi teknik ka vendosur që kuqezinjtë të nisin menjëherë përgatitjet për takimin e së hënës ndaj Ishujve Faroe. Dueli i fundit në këtë edicion kualifikues, ku do të kërkohet fitorja për të siguruar vendin e parë në Grupin E.

Gjatë paradites së sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, skuadra kombëtare zhvilloi seancën stërvitore në kuadër të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe. Departamenti i Komunikimit në FSHF, bën me dije se në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët.

Futbollistët që u aktivizuan si titullarë në ndeshjen përballë Moldavisë zhvilluan stërvitjen vetëm në palestër. Ndërsa pjesa tjetër pas stërvitjes në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Sylvinho.

Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik. .

Ndërkaq, ekipi do të zhvillojë përgatitjet e fundit në kuadër të sfidës ndaj Ishujve Faroe ditën e nesërme. Trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti do të jenë përpara mediave në konferencën tradicionale për shtypin në ora 17:15.


Shtuar 18.11.2023 15:01