Vendos qeveria Japoneze, tifozët e huaj nuk do të lejohen në “Tokio 2020”

Qeveria japoneze ka vendosur që Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që nisin më 23 korrik, të zhvillohen pa praninë e spektatorëve të huaj. Kjo masë është marrë për shkak të pandemisë Covid-19, lajm që konfirmohet nga agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo News”.

Sipas qeverisë, tifozët e huaj nuk do të lejohen, për shkak se ata mund të sjellin me vete edhe variantet e reja të koronavirusit gjatë kohës që do të jenë në Olimpiadë. Gjithashtu, qeveria ka vendosur që ceremonia e hapjes së Olimpiadës të zhvillohet pa tifozë. Në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë vetëm një numër i limituar të ftuarish dhe sportistët pjesëmarrës në Olimpiadë. Kjo masë merret për të evituar grumbullime masive njerëzish. Tifozët japonezë do të jenë të limituar për të ndjekur disa nga eventet përgjatë Olimpiadës.

Gjithsesi, vendimi zyrtar për sa i përket tifozëve të huaj e vendës si dhe mënyrës së organizimit të ceremonisë së hapjes do të merret nga komiteti organizator i Lojërave Olimpike, në mbledhjen që do të zhvillohet në fund të marsit.

 


Shtuar 11.03.2021 15:45