Sherri duke bërë joga mes një vajze dhe një djali në Tiranë: Je e shëndoshë!

Një amerikane e moshës 35 vjeç që jeton dhe ka biznes të jogës në Tiranë, është ndier aq e fyer dhe e bezdisur nga një shtetas kinezo-kanadez, saqë e vetmja zgjidhje për të është veçse policia. Burimet e Gazetasi.al tregojnë se si amerikania me inicialet R. B, me profesion menaxhere shkoi në policinë qendrore pas një incidenti të ndodhur në biznesin e saj, palestër Joga.

Gruaja sipas policisë e ushtron këtë aktivitet në kryeqytet prej pesë vitesh, por asnjëherë nuk është ndeshur me probleme të tilla me shtetas shqiptarë si ai që i është hapur me kinezo-kanadezin, një klient që ndiqte jogën. Sidoqoftë flakën për grindjen e ka ndezur një shqiptar që u grind në brendësi të ambienteve. Por më pas dy të huajt e kanë vijuar sherrin, për të drejta të padëgjuara, njëri kërkonte dëmshpërblim duke akuzuar se përse biznesmeni nuk i garantoi qetësi dhe tjetri (amerikania), u fye kur ai e quajti “k.. amerikane e shëndoshtë”.

“Në palestër vijnë shumë shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe mësimet që ofrohen janë në gjuhën angleze dhe në shqip. Në lidhje me paraqitjen time sot, në ambientet e studios sime, ndodhi një debat verbal midis dy klientëve të mi. Shtetasi A. B që është shqiptar dhe shtetasi kinezo-kanadez H. P, të cilët u grindën befas por që më pas debate u mbyll aty për aty”.

Amerikania tregon se disa ditë më vonë, të dy këta shtetas u grindën sërish dhe sërish për shkaqe banale.

“Ata filluan të debatonin dhe nga ana ime iu kërkua të dy klientëve që të dilnin jashtë dhe të largoheshin nga ambientet. Të dy u larguan dhe me sa mësova kanë vazhduar të debatojnë jashtë pallatit. Nga debate verbal konflikti ka agravuar dhe ka shkuar në konflikt fizik”.

Denoncuesja shton në polici se këtë përplasje ajo nuk e ka parë dhe nuk mund të konsiderohet dëshmitare, pasi ja kanë treguar persona të tjerë.

“Pas kësaj shtetasi kinezo-kanadez më dërgoi një e-mail dhe duke treguar incidentin kërkoi dëmshpërblim nga ana ime dhe kompania ime për grindjen ku u përfshi. Ai kërkoi dëmshpërblim prej meje për syzet që i kishte thyer shtetasi shqiptar kur janë konfrontuar jashtë ambienteve”, thotë gruaja.

Në ditët në vazhdim amerikania është ndeshur me kërkesa të tjera prej kinezo-kanadezit.

“Më kërkoi kthimin e lekëve të kursit që i kishte paguar. Ja ktheva vlerën e lekëve që ai kishte paguar. Gjithashtu iu bëra me dije të dy shtetasve përmes e-mailit se sapo i kisha shpallur klientë të padëshiruar në biznes dhe ju ndalohej që të frekuentonin këto ambiente. Edhe pse kjo gjë iu bë e ditur të dyja palëve, kinezo-kanadezi i shpallur i padëshiruar përsëri shkruante në e-mailin tonë. Ai kërcënonte se studio ishte përgjegjëse për situatën dhe më tej filloi të kërcënojë. Ai shkroi për mua – mos më dil përpara dhe fillon më shan…, shkruan k…. amerikane e shëndoshë”.

35-vjeçarja i thotë policisë se pasi e shpalli të padëshiruar si klient ajo nuk i është përgjigjur më asnjë e-maili të H. P.

“Përvec e-maileve të para dhe kthimit të lekëve si klient si dhe bërjen me dije si person i padëshiruar, nuk i jam përgjigjur më”, thekson 35-vjeçarja.

Policia është vënë në kërkim të kinezo-kanadezit dhe të shqiptarit, të shpallur non grata jo nga SHBA, por nga një amerikane të Tiranë, e cila ka vendosur t’u tregojë dy burrave se gjithçka ka një kufi.

“Deklarata e amerikanes R. B është dhënë në gjuhën e saj amtare”, – detajoi për gazetën Si një oficer i policisë – që tregon se pavarësisht këtij qëndrimi është e domosdoshme gjetja e dy të tjerëve. Megjithatë nga çfarë u deklarua në polici nuk ka asnjë vepër penale, por jemi në situatën e fyerjes që është një çështje civile”, e mbylli prononcimin zyrtari./SI

 

 


Shtuar 11.03.2021 15:46