Vdekja e Maradonës, akuzë zyrtare për shtatë persona

Shtatë persona akuzohen për vrasje të dyshuar me dashje (një krim për të cilin dënimet variojnë nga 8 në 25 vjet burg) nga prokurorët që hetojnë vdekjen e Diego Armando Maradonës. Jo vetëm kaq, prokurori i përgjithshëm i qytetit San Isidro, në Buenos Aires, gjithashtu kërkoi garanci nga gjyqtari, Orlando Díaz, të akuzuarit të mos kenë mundësi për t’u larguar nga Argjentina.

Ata janë të gjithë punonjës shëndetësorë të pranishëm ditën e vdekjes së Maradonës, 25 nëntorin e kaluar: infermierët Ricardo Omar Almirón dhe Dahiana Gisela Madrid; koordinatori i tyre, Mariano Perroni; mjeku që koordinoi shtrimin në spital të ish-futbollistit, Nancy Forlini; psikologu Carlos Ángel Díaz, psikiatrja Agustina Cosachov dhe neurokirurgu Leopoldo Luque si mjek i Diegos. Pas ekzaminimit të të gjitha raporteve, u vlerësua se performanca e ekipit shëndetësor që duhej t’i vinte në ndihmë  Maradonës ishte “e papërshtatshme, e mangët dhe e pamatur” dhe e la “në dorë të fatit gjendjen shëndetësore të pacientit”.


Shtuar 20.05.2021 19:15