Uzuni, mbreti i golit/ Ylli “spanjoll”, sulmuesi kuqezi i vitit 2024

Sulmuesi kuqezi Myrto Uzuni, ia doli të kalonte konkurrencën e rivalëve të tillë si Rejm Manaj dhe Mirlind Daku.

Ylli i Granadës, që këtë sezon luan në Ligën e dytë në Spanjë, arriti të shënonte gjithsej 19 gola në 12 muaj, e përveç tyre pati edhe dy asistë.

Nga këto rrjeta, 14 ishin këtë sezon në Ligën e Dytë, ndërsa pesë të tjera u shënuan edicionin e kaluar, kur Uzuni luante në elitën spanjolle, në La Liga.

Në vend të dytë nga sulmuesit e kombëtares është Rej Manaj që aktivizohet në Superligën e Turqisë për Sivasporin.

Futbollisti 27-vjeçar, ka gjithsej 16 gola dhe 4 asistë në 2024. Lojtari me fanelën me numrin 9 ishte i shkëlqyer sezonin e shkuar, kur fitoi Këpuën e Bronzit në elitën turke, dhe 12 nga 18 rrjetat gjithsej i shënoi nga janari deri në maj të këtij viti.

Ky sezon nuk është në ato nivele, pasi ka realizuar vetëm katër herë, ndërsa në ndeshjet e fundit pati probleme me polemikat dhe kartonët.

Podiumin kuqezi e plotëson Mirlind Daku.

Sulmuesi që luan për Rubinin e Kazanit në Premier Ligën e Rusisë, ka në total gjatë këtij vit 15 gola dhe 9 asistë. Me këto shifra, ai u shpall lojtari më I mirë I elitës ruse për kontributin gola+asiste. Po ashtu, Daku është më I miri nga kombëtarja shqiptare për këto.


Shtuar 24.12.2024 17:40