Kryeministri Edi Rama deklaroi se zv.kryeministrja Belinda Balluku po përballet me një çështje me drejtësinë, ndërsa sqaroi se komentet e tij kanë të bëjnë vetëm me parimin dhe standardin, jo me përmbajtjen e hetimit.
Gjatë një interviste me gazetaren Rudina Xhunga, në podcastin “Flasim” të Kryeministrit, Rama tha se Balluku nuk po mbrohet prej tij apo prej dikujt tjetër dhe se përgjegjësia për të mbrojtur veten i takon asaj.
Të lidhura
None found
Ai argumentoi se në rastin e Ballukut u ndërthurën dy çështje të ndryshme. Sipas Ramës, pezullimi i një ministri nga detyra ishte një masë absurde dhe e paprecedentë në historinë e botës, ndërsa një prokuror dhe një gjykatës, duke u mbledhur në të njëjtën dhomë, morën përsipër të ushtronin kompetencat e kryeministrit, parlamentit dhe presidentit.
“Nuk i sfidova unë, por u sfiduan Kushtetuta e Shqipërisë dhe një pushtet i pavarur. Ne nuk jemi të pavarur nga ligji dhe duhet ta zbatojmë atë, ndërsa ata janë të pavarur nga ne. Por nuk janë të pavarur deri në atë pikë sa të vendosin për ne”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se në atë rast u kapërcye një vijë e kuqe dhe se qëndrimi i tij ishte cinik në raport me të nesërmen. Ai shtoi se SPAK kishte hyrë në territorin e tij si kryeministër, në atë të shumicës parlamentare dhe në territorin e presidentit.
Rama theksoi se nuk ka folur për thelbin e çështjes së Ballukut, njësoj siç nuk ka komentuar edhe rastin e Beqajt, për të cilin tha se ende pret të shohë ku qëndron korrupsioni, pasi nuk e ka parë deri tani.
“Balluku ka një çështje me drejtësinë dhe aty nuk e mbron as unë, as askush tjetër. Ajo mbron veten e saj, për aq sa i takon të mbrojë veten”, tha Rama.
Sa i përket Erion Veliajt, kreu i qeverisë e cilësoi qëndrimin e kryetarit të zgjedhur në paraburgim si “absurdin e kryeqytetit” dhe tha se është e pamundur të komunikosh me të.
