Kryeministri Edi Rama deklaroi se zv.kryeministrja Belinda Balluku po përballet me një çështje me drejtësinë, ndërsa theksoi se komentet e tij për këtë rast kanë qenë të kufizuara vetëm te parimet dhe standardet.
Gjatë intervistës me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin “Flasim” të Kryeministrit, Rama tha se Balluku nuk po mbrohet nga askush në procesin që lidhet me drejtësinë.
Të lidhura
None found
“Në rastin e Belinda Ballukut u përzien në mënyrë të gabuar dy çështje që nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. U vendos një masë absurde, e paprecedentë në historinë e botës: pezullimi i një ministri nga detyra. Një prokuror dhe një gjykatës u mblodhën në një dhomë dhe vendosën të merrnin rolin e kryeministrit, parlamentit dhe presidentit.
Nuk isha unë ai që i sfidova ata. Në të vërtetë, u sfiduan Kushtetuta e Shqipërisë dhe një pushtet i pavarur. Ne nuk jemi të shkëputur nga ligji dhe kemi detyrimin ta zbatojmë atë. Ata janë të pavarur nga ne, por nuk janë të pavarur për të marrë vendime në emrin tonë.
Në atë moment u kalua vija e kuqe dhe qëndrimi im për të ardhmen ishte cinik.
Me rastin e Ballukut, SPAK ndërhyri në kompetencat e mia si kryeministër, në hapësirën e shumicës sonë parlamentare dhe në atë të presidentit.
Balluku ka një çështje me drejtësinë dhe për përmbajtjen e saj nuk kam deklaruar asgjë. I njëjti standard është ndjekur edhe në rastin e Beqajt, për të cilin ende pres të kuptoj ku qëndron korrupsioni, pasi nuk e kam parë deri tani.
Kam folur vetëm për parimin dhe standardin. Për sa i përket çështjes së saj me drejtësinë, Balluku nuk mbrohet as nga unë dhe as nga askush tjetër; ajo mbron veten, aq sa i takon të mbrojë veten”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për situatën e Erion Veliajt.
“Që kryetari i zgjedhur të mbahet i mbyllur në paraburgim është absurd për kryeqytetin. Është e pamundur të komunikosh”, deklaroi Rama.
