Toni Kroos e ka vendosur, “pensinohet” nga kombëtarja pas Evropianit

Toni Kroos vendos të tërhiqet nga përfaqësuesja e Gjermanisë. Futbollisti i mirënjohur teuton duket se ka marrë vendimin e vështirë për të hequr dorë nga kombëtarja e vendit të tij, menjëherë pas kampionatit evropian. Toni Kroos konsiderohet si një ndër mesfushorët më të mirë në rruzull dhe për hir të së vërtetës 31-vjeçari nga Greifswaldi ka fituar gjithçka mund të fitohet përgjatë karrierës së tij tepër të lavdishme, me përjashtim të Kupës së Spanjës. Copa del Rey është trofeu i vetëm që i mungon Tonit në karrierën e tij brilante me Bayernin e Mynihut dhe Realin e Madridit, ndërsa me “nationalelf” Kroos u kurorëzua me Kupën e Botës në vitin 2014.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “Marca”, që zbulon qëllimin e mesfushorit aktual të “Los Blancos”. Nga sa kuptohet, faza finale e kampionatit të 16 europian do të shënojë edhe fundin e karrierës për Toni Kroos, me fanellën e “Mannschaft”-it. Në njëfarë mënyre, gjithçka është e kuptueshme, duke patur parasysh lidhjen e fortë dhe raportin e shkëlqyer që ka patur gjatë gjithë kohës Kroos me trajnerin e përfaqësueses Joachim Low.

Aq e fortë është miqësia mes të dyve sa mendohet që në vitin 2019 Jogi është influencuar madje deri në largimin e tre futbollistëve të Bajernit të Mynihut për kohën: si Thomas Muller, Mats Hummels dhe Jerome Boateng. Tani Toni Kroos duket se ka ndërruar mendim në lidhje me ish-shokët e tij të ekipit në radhët e skuadrës përfaqësuese. Dy vjet më pare, Joachim Low e justifikoi vendimin e tij me qëllimin për të integruar në gjirin e kombëtares gjermane disa futbollistë të rinj. Historia dihet. “Die Mannschaft” dështoi në edicionin hapës të Ligës së Kombeve, duke grumbulluar vetëm dy pikë, në një grup ku bënin pjesë gjithashtu edhe Holanda dhe Franca, ndërsa në botërorin e fundit, që u zhvillua tre vjet më parë në Rusi “panzer”-at u poshtëruan keqas, duke u eliminuar që në fazën e grupeve, ndonëse shorti u duk i favorshëm, në një grup me vende si Suedia, Meksika dhe Korea e Jugut.

Bashkë me portierin Manuel Neuer, Toni Kroos përfaqëson “gardën e vjetër” dhe dy veteranët gëzojnë një respekt të veçantë në grupin e kombëtares gjermane. Në vendin teuton madje flitet se ndikimi i mesfushorit të Realit të Madridit është shumë më i madh se sa edhe vetë influenca e kapitenit Manuel Neuer. Nga sa raportojnë mediat gjermane, Jogi influencohet shpesh në vendimet e tij nga mesfushori i palodhur i përfaqësueses dhe gjithcka në fakt lidhet edhe me deklaratat e vetëm pak kohëve më parë, në lidhje me mundësinë e një rikthimi të mundshëm të këtyre lojtarëve.

Sipas “Sport Bild”, 61-vjeçari nga Baden – Wurttembergu ka hapur derën për një rikthim të mundshëm të dyshes Thomas Muller – Mats Hummels. Toni është njeriu i besuar i Jogit në ekipin kombëtar dhe pikërisht personi që, me sa duket, pyetet për gjërat që lidhen me personelin e futbollistëve të grumbulluar në ekipin teuton. Kroos ishte skeptik në lidhje me kontributin e treshes Muller – Hummels – Boateng pas dështimit të turpshëm të vitit 2018 dhe reagimi i trajnerit Low nuk është se vonoi shumë, ndërsa tani, pas ndeshjeve të fundit, 31-vjeçari duket se ka ndryshuar mendim në lidhje me këtë çështje.

Mesfushori i mirënjohur i Realit e ka kuptuar mungesën e eksperiencës në radhët e përfaqësueses, prandaj Toni Kroos kërkon që Gjermania të shkojë në muajin qershor me kontigjentin më të mirë të mundshëm, duke marrë në konsideratë faktin që ky europian përfaqëson për të edhe rastin e fundit për të fituar trofe me ekipin kombëtar. Si një lojtar shumë i përgjegjshëm, ai u bë gati për të hequr dorë nga përfaqësuesja e vendit të tij që në verën e vitit 2018, por familja dhe njerëzit më të afërt bënë që të ndërrojë mendje.

Në mënyrë të kuptueshme largimi i mesfushorit të Realit nga radhët e kombëtares gjermane lidhet ngushtë gjithashtu edhe me vendimin e trajnerit Joachim Low, për t’u larguar pikërisht në mbylljen e edicionit të 16 të kampionatit evropian, që do të zhvillohet nga data 11 qershor deri më 11 korrik. Me fanellën e DFB-Elf Kroos ka debutuar në marsin e vitit 2010 ndaj Argjentinës, ndërkaq në këto 11 vjet karrierë me përfaqësuesen Toni ka shënuar 17 gola në 101 ndeshje gjithsej.

Në këtë mënyrë Kroos pritet që t’i përqendrojë të gjitha forcat te Reali i Madridit, klub me të cilin mesfushori i palodhur gjerman firmosi në 2019 një kontratë prej 11,7 milionë eurosh në sezon, që do ta mbajë atë të lidhur me ekipin “merengues” deri në vitin 2023.


Shtuar 29.03.2021 14:44