Të gjithë ata që kishin aplikuar për bileta në ndeshjet e Shqipërisë në Europian, kanë marrë një përgjigje ditën e djeshme.
UEFA ka nisur procesin e përzgjedhjes së fituesve që kanë aplikuar për biletat e Europianit ku të shumtë janë edhe shqiptarët, pasi Kombëtarja u kualifikua në “Euro 2024” dhe u shortua në të njëjtin grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.
Të paktë kanë qenë fituesit, ndërsa kërkesat shumë të larta. Të gjithë fituesit janë informuar me anë të një “e-mail”-i ku i kërkohet të vijojnë me pagesën, ndërsa ata që nuk kanë marrë një “e-mail” të tillë nuk kanë mundur të sigurojnë bileta.
Gjithsesi, ata të cilët kanë aplikuar mund ta konfirmojnë duke u futur në faqen e UEFAs te seksioni i biletave dhe pas plotësimit të dhënave, me shumë mundësi shfaqet një kuadrat i kuq ku thuhet:
“Kërkesa juaj s’ka qenë e suksesshme”. Gjithsesi, nëse ata që kanë fituar një biletë, nuk vijojnë me pagesën deri në kohën që të lejon UEFA, ajo biletë kalon te dikush tjetër. Kështu pra, ka edhe një shans të vogël për të siguruar një të tillë.
Teksa shumë shqiptarë janë zhgënjyer nga përgjigjja e platformës që menaxhon biletat e ndeshjeve të Europianit, një nga arsyet është edhe politika që ndjek UEFA.
Institucioni i futbollit i jep përparësi banorëve të vendit që organizon turneun apo qytetit që zhvillohet ndeshja. Në këtë rast atyre që banojnë në Gjermani. E njëjta situatë ndodhi edhe në finalen e 25 majit 2022 të Ligës së Konferencës në Tiranë.
Gjatë procesit në shitjen e biletave, pjesa më e madhe u fitua nga shtetasit shqiptarë. I njëjtë ishte zhgënjimi i tifozëve të Romës dhe Fejnordit që aplikuan nga vendet e tyre dhe nuk arritën dot të siguronin një biletë për atë ndeshje.