Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri ndaj vendimit të Gjykatës Administrative për pagat e gjyqtarëve, duke e përshkruar atë si një vendimmarrje të pazakontë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Rama thekson se vendimi nuk parashikon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51 për qind, por edhe kompensimin e shumave të pretenduara si të prapambetura që nga prilli i vitit 2023.
Të lidhura
None found
Sipas kryeministrit, zbatimi i kësaj kërkese do të sillte detyrime në vlerën rreth 130.5 milionë euro. Ai ka vënë gjithashtu në dyshim bazën dhe mënyrën se si është marrë ky vendim.
Rama kërkoi ndjesë për atë që e cilësoi si informim të pjesshëm lidhur me vendimmarrjen e një dite më parë. Ai deklaroi se Gjykata Administrative, përmes sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të pezulluar një akt, por për të realizuar një akt, nuk ka kërkuar vetëm rritjen e menjëhershme të pagave të gjyqtarëve me 51 për qind.
“Gjykata kërkon gjithashtu pagesën e të prapambeturave që nga prilli 2023, me arsyetimin se pagat duhej të ishin rritur që atëherë në të njëjtën masë që synohet të rriten tani”, shkroi kryeministri.
Rama shtoi se në tabelën bashkëngjitur mund të shihet shuma që do të përfitonte personalisht çdo gjyqtar si pagesë e prapambetur, nëse ministri i Financave do të shkelte ligjin dhe do të zbatonte këtë vendimmarrje ekstra-parlamentare.
